Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimit të arsimit të lartë, Rektori i Kolegjit AAB, Prof. Dr. Sc. Blerim Olluri, zhvilloi një takim të rëndësishëm me drejtuesit e Yıldız Teknik Üniversitesi (YTU) në Stamboll, Prof. Dr. Ozer Cinar, anëtar i Bordit dhe Prof. Dr. Vatan Karakaya, pro-rektor për Cështje Akademike.
Diskutimet u përqendruan në thellimin e bashkëpunimit institucional, zhvillimet më të fundit në shkencë dhe teknologji, si dhe mundësitë për organizime të përbashkëta akademike dhe hulumtuese.
Temat kryesore të takimit përfshinë organizimin e konferencave të përbashkëta, publikimet shkencore, si dhe krijimin e projekteve të përbashkëta në fusha me rëndësi strategjike për të ardhmen e arsimit dhe inovacionit.
Rektori Olluri prezantoi zhvillimin dhe progresin e Kolegjit AAB ndër vite, duke theksuar pozitën e tij aktuale si një institucion lider në rajon, si dhe angazhimin për fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mbështetjen e vazhdueshme për stafin dhe studentët.
Nga ana tjetër, Prof. Dr. Ozer Cinar dhe Prof. Dr. Vatan Karakaya prezantuan zhvillimet e fundit në Yildiz Technical University, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet në Kosovë, veçanërisht me Kolegjin AAB.
Një theks i veçantë iu kushtua tri propozimeve konkrete të Kolegjit AAB, të cilat u mirëpritën nga pala turke, për përfshirjen në një konsorcium të përbashkët në fushat e inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike dhe përdorimit të platformave digjitale. Këto iniciativa synojnë të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm akademik dhe teknologjik të të dy institucioneve.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të partneriteteve të qëndrueshme ndërkombëtare dhe krijimit të mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik, duke forcuar rolin e të dy institucioneve në arenën globale të arsimit të lartë.


