“Future Makers: Girl in ICT 2026” Kolegji AAB nikoqir i konferencës ndërkombëtare për nder të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në TIK

22 Prill 2026

Kolegji AAB në bashkëpunim me WomenInTech dhe partnerët e tjerë, ka organizuar konferencën për nder të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në TIK, me titull “Future Makers: Girls in ICT 2026”, një aktivitet i cili vuri në pah rëndësinë e përfshirjes së vajzave në teknologji dhe inovacion.

Rektori i Kolegjit AAB, Blerim Olluri, në fjalën e tij hyrëse, theksoi përkushtimin e institucionit për të krijuar mundësi të barabarta për vajzat në fushën e teknologjisë.

“Me rëndësi të veçantë është fakti që Fakulteti inkurajon në mënyrë aktive pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në TIK, duke njohur se diversiteti është thelbësor për inovacionin. Duke krijuar një mjedis gjithëpërfshirës të të nxënit, duke mbështetur angazhimin e studentëve në projekte dhe duke promovuar mundësi të barabarta, Kolegji AAB po kontribuon në ngushtimin e hendekut gjinor në teknologji dhe në fuqizimin e gjeneratës së ardhshme të lidereve në transformimin digjital.”

E pranishme në këtë ngjarje ishte ushtruesja e detyres së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila foli për rëndësinë e vajzave në këtë sektor, duke e cilësuar këtë fushë si një ndër shtyllat kryesore të inovacionit në vend.

Ndërkaq, ministri i Dixhitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ndau disa histori frymëzuese të vajzave që kanë arritur sukses në teknologji, duke i inkurajuar të rejat që të ndjekin ëndrrat e tyre në këtë fushë.

Në konferencë morën pjesë edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të cilët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në fuqizimin e grave në teknologji.

Organizatorja e kësaj konference, Teuta Sahatqija, falënderoi Kolegjin AAB dhe Ambasadën Franceze për mbështetjen e këtij aktiviteti, ndërsa theksoi se kjo nismë synon krijimin e një rrjeti global me mbi 5 milionë gra në fushën e teknologjisë.

Share: