Në kuadër të lëndës Menaxhimi i Zinxhirit të Furnizimit, e udhëhequr nga prof. Fëllënza Pula, në Fakultetin Ekonomik të Kolegjit AAB u organizua një ligjëratë me eksperten dhe konsulenten e lartë të prokurimit publik, Vlora Ferizi.
Me mbi 20 vite përvojë profesionale në reformimin e sistemit të prokurimit publik, menaxhimin e kontratave dhe ndërtimin e kapaciteteve institucionale në Kosovë, Ferizi ndau me studentët përvoja praktike dhe njohuri të rëndësishme nga fusha e prokurimit.
Tema e ligjëratës ishte “Menaxhimi i Zinxhirit të Furnizimit dhe Roli i Prokurimit në Praktikë”, ku u diskutua për parimet themelore të prokurimit, përfshirë transparencën, barazinë e trajtimit, mosdiskriminimin, konkurrencën e hapur, si dhe sigurimin e vlerës për paranë.
Studentët e Fakultetit Ekonomik e vlerësuan ligjëratën si një mundësi të vlefshme për të kuptuar më thellë rolin strategjik të prokurimit në menaxhimin modern të furnizimit.


