Suksesi në marketingun digjital në fokus të ligjëratës nga Albnore Durmishi Devetaku

28 Prill 2026

Në kuadër të aktiviteteve të trajnimit Knowledge Lab, pjesëmarrësit patën mundësinë të mirëpresin si të ftuar znj. Albnore Durmishi Devetaku, themeluese e Mark Agency, e cila ndau përvojën e saj në ndërtimin e një biznesi në industrinë dinamike dhe shumë konkurruese të marketingut digjital.

Gjatë ligjëratës, ajo theksoi se rruga drejt ndërtimit të një biznesi nuk është e lehtë dhe shpesh kërkon përkushtim të madh. Megjithatë, sipas saj, është thelbësore që individi të ketë qartësi për atë që dëshiron dhe ndjen të bëjë. Ajo nënvizoi rëndësinë e hulumtimit të vazhdueshëm, të mësuarit dhe zhvillimit profesional si elemente kyçe për të arritur qëndrueshmëri dhe sukses në këtë fushë.

Znj. Durmishi Devetaku gjithashtu ndau me studentët përvoja konkrete nga puna e saj në industri të ndryshme, duke ofruar një pasqyrë reale të sfidave dhe mundësive që ofron tregu. Një theks i veçantë iu kushtua zhvillimit të aftësive kreative dhe nevojës për t’u përshtatur me trendet e reja, veçanërisht për ata që synojnë të ndërtojnë karrierë në industrinë kreative.

Ndërkohë, trajnimi Knowledge Lab po vazhdon të zhvillohet me sukses në kuadër të projektit CreaTech, duke tërhequr një numër të madh studentësh të interesuar për të avancuar njohuritë dhe aftësitë e tyre në fushat kreative dhe digjitale.

Share: