Prof. Ass. Dr. sc. Mensut Ademi, nga Fakulteti Juridik në Kolegjin AAB, ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Kongresin VII Ndërkombëtar “Congreso de Criminalidad”, i zhvilluar së fundmi në Panama. Ky aktivitet me peshë të rëndësishme shkencore dhe profesionale u organizua nga *Sistema Nacional Integrado de Estadísticas Criminales.
Gjatë qëndrimit në Panama dhe pjesëmarrjes aktive në punimet e kongresit, Prof. Ademi, në cilësinë e profesorit dhe ekspertit në fushën e kriminologjisë, thelloi bashkëpunimin ndërkombëtar. Ky forum shënoi një mundësi të veçantë për shkëmbimin e praktikave, përvojave dhe njohurive shkencore me profesorë dhe ekspertë të fushës së sigurisë nga shumë shtete të Amerikës Latine, përfshirë Argjentinën, Brazilin, Uruguain, Kosta Rikën, Paraguain dhe Panamanë.
Në kuadër të këtij suksesi, një vlerësim dhe falënderim i veçantë i takon mbështetjes shtetërore dhe profesionale ofruar nga Ambasada e Kosovës. Përfaqësimi dinjitoz u fuqizua nga prania dhe mbështetja e Sh.S. Ambasadores Heroina Talaku, e cila me përkushtim të lartë dhe profesionalizëm kontribuoi në lartësimin e imazhit të vendit tonë në këtë arenë ndërkombëtare.
Si rezultat i drejtpërdrejtë i këtij angazhimi, në përmbyllje të konferencës, delegacioni nga Republika e Kosovës mori ftesa zyrtare për t’u bërë pjesë dhe anëtar i disa instituteve, akademive dhe universiteteve prestigjioze në Amerikën Latine. Kjo ftesë hap shtigje të reja për bashkëpunime afatgjata akademike dhe shkencore ndërmjet dy rajoneve.
Ky përfaqësim i suksesshëm dëshmon edhe një herë angazhimin serioz dhe kapacitetin e lartë profesional të institucioneve dhe ekspertëve kosovarë në fushën e kriminologjisë, si dhe gatishmërinë e tyre për të dhënë kontribut në arkitekturën e sigurisë globale.