Fakulteti Ekonomik në Kolegjin AAB forcon bashkëpunimin me Hochschule Schmalkalden

30 Prill 2026

Dekanati i Fakultetit Ekonomik të Kolegjit AAB zhvilloi një takim me udhëheqësin e Zyrës Ndërkombëtare të Hochschule Schmalkalden – University of Applied Sciences, Dr. Paul Voerkel, në kuadër të angazhimeve për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e cilësisë akademike.

Gjatë takimit, palët shkëmbyen praktikat më të mira të dy institucioneve në fushën e ndërkombëtarizimit, me theks të veçantë në afrimin e universiteteve me industrinë dhe integrimin e komponentës praktike në programet studimore. Diskutimet u përqendruan gjithashtu në mënyrat konkrete se si institucionet e arsimit të lartë po i adresojnë zhvillimet e fundit në teknologjinë digjitale, duke i reflektuar ato në përmbajtjen dhe strukturën e programeve akademike.

Një ndër pikat kyçe të takimit ishte dakordimi për intensifikimin e bashkëpunimit në shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, duke synuar krijimin e më shumë mundësive për përvojë ndërkombëtare dhe zhvillim profesional. Në këtë drejtim, u diskutuan edhe iniciativa konkrete për projekte të përbashkëta që do të kontribuojnë në zhvillimin e shkathtësive të buta të studentëve, si komunikimi ndërkulturor, puna në ekip dhe adaptimi në mjedise dinamike ndërkombëtare.

Ky bashkëpunim pritet të sjellë vlera të shtuara për studentët dhe stafin e të dy institucioneve, duke forcuar më tej dimensionin ndërkombëtar të Fakultetit Ekonomik dhe duke e pozicionuar atë në linjë me trendet bashkëkohore të arsimit të lartë në Evropë.

Share: