Në kuadër të Ditës Botërore të Infermierisë, Fakulteti i Shkencave Shëndetësore në Kolegjin AAB organizoi tryezën ndërkombëtare të diskutimit me temën “Forcimi i rolit të infermierëve në kujdesin shëndetësor në shtëpi: mësimet nga modeli shqiptar dhe implikimet për Kosovën”.
Hapjen e aktivitetit e bëri dekani i Fakultetit, Prof. Ass. Dr. Idriz Sopjani, i cili theksoi rëndësinë e rolit të infermierëve në avancimin e shërbimeve shëndetësore dhe nevojën për zhvillimin e kujdesit shëndetësor në shtëpi si pjesë e sistemit modern shëndetësor.
Prorektorja e Kolegjit AAB, Venera Llunji, iu uroi mirëseardhje të gjithë të ftuarve duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të përvojave profesionale në fushën e infermierisë.
I pranishëm në këtë tryezë ishte Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, i cili tregoi
rëndësinë e zhvillimit të shërbimeve shëndetësore në Prishtinë dhe nevojën për përmirësimin e
vazhdueshëm të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Në vazhdim, prof. Sajmira Aderaj prezantoi përvojat nga Shqipëria lidhur me kujdesin shëndetësor në shtëpi. Ajo foli për zhvillimin e këtij shërbimi ndër vite dhe ndikimin që ka pasur në përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.
Më pas, Joana Campos nga Portugalia prezantoi perspektivën ndërkombëtare mbi kujdesin në komunitet dhe rolin e infermierëve. Ajo ndau praktika dhe modele të suksesshme evropiane, duke theksuar rëndësinë e fuqizimit të infermierëve në shërbimet komunitare dhe kujdesin preventiv.
Në panelin diskutues morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe profesionistë të fushës, ndër ta: Genc Ymerhalili, përfaqësuses nga AQH; Dr. Sahadete Kelmendi, përgjegjëse e kujdesit shtëpiak; Nyrtene Ademi Jupolli, infermiere përgjegjëse e shërbimit shtëpiak; Mimoza Marevci, koordinatore për ofrimin e kujdesit shtëpiak në Ferizaj; Edona Gara, koordinatore për mësim; dhe Lirije Beqiri, përfaqësuese nga QKUK.



