Në kuadër të Muajit të Shëndetit Mendor, Fakulteti i Psikologjisë ka organizuar një bashkëbisedim me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, të titulluar ”Njeriu përballë vetes-përtej pozitës”, aktivitet që solli dimensionin personal, mbi vlerat dhe sfidat e individit jashtë roleve institucionale.
Këtë bashkëbisedim e drejtoi koordinatorja e fakultetit Arlinda Gashi, ndërsa studentët dhe stafi akademik u përfshinë aktivisht me pyetje dhe diskutime që prekën tema të ndryshme, nga bindjet personale dhe aktivizmi politik, deri te mënyra e ndërtimit të disiplinës dhe menaxhimit të jetës së përditshme.
Një nga temat që ngjalli më shumë interes ishte ruajtja e qetësisë dhe balancës emocionale përballë presioneve dhe përgjegjësive publike. Në përgjigjet e tij, Kurti ndau reflektime personale mbi vetëkontrollin, rutinën dhe rëndësinë e përkushtimit në punë dhe jetë.
Përmes këtij bashkëbisedimi studentët patën mundësi të njohin një anë më personale të figurës politike, duke e zhvendosur fokusin nga pozita politike te individi, vlerat dhe raporti i tij me vetveten.



