Rektori i Kolegjit AAB dhe Ministri i Digjitalizimit bashkë për AI & Tech Summit 2026

6 Korrik 2026

Në një takim të rëndësishëm institucional, Rektori i Kolegjit AAB, Dr.Sc. Blerim Olluri, zhvilloi një takim me Ministrin e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, znj. Lulëzon Jagxhiu, ku u diskutua organizimi i Samitit Ndërkombëtar AI & Tech Summit 2026, që do të mbahet në Kolegjin AAB me 3-4 shtator 2026 si një nga ngjarjet më të rëndësishme rajonale në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

Takimi u fokusua në ndërlidhjen strategjike mes mandatit të Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe temës qendrore të Samitit, duke theksuar se transformimi digjital i administratës publike, shërbimet elektronike (e-Government), inteligjenca artificiale (AI) dhe inovacioni teknologjik janë shtylla kyçe të zhvillimit modern institucional dhe shoqëror.

Në këtë kontekst, AI & Tech Summit u vlerësua si një platformë ndërkombëtare me rëndësi të veçantë, e cila synon të bashkojë akademinë, institucionet publike, industrinë teknologjike dhe ekspertët globalë të inteligjencës artificiale, me qëllim nxitjen e transformimit digjital dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

U theksua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit institucional në organizimin e këtij Samiti, duke e pozicionuar Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike si një partner kyç në procesin e avancimit të politikave digjitale, inovacionit në shërbimet publike dhe integrimit të teknologjive të reja në qeverisje. Ky bashkëpunim reflekton vizionin e përbashkët për modernizimin e administratës publike dhe përafrimin e saj me standardet evropiane të qeverisjes digjitale.

Samiti pritet të sjellë një pjesëmarrje të gjerë ndërkombëtare, duke përfshirë ekspertë të inteligjencës artificiale, përfaqësues të institucioneve akademike prestigjioze, kompani globale të teknologjisë dhe startup-e inovative. Një rol i veçantë do t’i kushtohet edhe ekspozitës teknologjike (Tech Expo 2026), e cila do të prezantojë zgjidhje digjitale, inovacione dhe aplikime praktike të AI në sektorë të ndryshëm.

Ky takim konfirmon rëndësinë e lidhjes mes arsimit të lartë, qeverisjes digjitale dhe teknologjisë së avancuar, duke e pozicionuar “AI & Tech Summit” si një ngjarje strategjike me ndikim ndërkombëtar në fushën e inovacionit, inteligjencës artificiale dhe transformimit digjital.

Share: