Prorektorja për Bashkëpunim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Venera Llunji, mori pjesë në takimin virtual “Universitetet Evropiane 2030: Vizioni dhe Vlerat”, të organizuar nga Magna Charta Observatory.
Qëllimi i këtij takimi ishte analizimi i dy dokumenteve të rëndësishme të dala nga MCHO dhe Asociacioni i Universiteteve Evropiane: Magna Charta Universitatum i ri, (MCU2020) dhe raporti “Universitetet pa mure – Një vizion për vitin 2030”.
Në shkurt të vitit 2021, Asociacioni i Universiteteve Evropiane, si një nga dy themeluesit e Observatorit Magna Charta, publikoi raportin e titulluar: ‘Universitetet pa mure – Një vizion për vitin 2030’. Raporti bazohet në konsultime të gjera me individë, grupe ekspertësh dhe akterësh. Raporti përbëhet nga tema të tilla si: qëndrueshmëria dhe agjenda e Kombeve të Bashkuara deri në vitin 2030, transformimi digjital, situatat gjeopolitike dhe tensionet globale si dhe ndikimi i Covid 19.
Pikërisht për shkak të këtyre lëvizjeve “sizmike” dhe sfidave themelore të cilat kalojnë edhe nëpër universitete, bën që universitetet duhet të qëndrojnë të palëkundura në vlerat e tyre thelbësore, siç janë liria akademike, autonomia institucionale dhe integriteti shkencor.
Në vitin 2020 nga ky trup ndërkombëtar u nxor një dokument i ri, Magna Charta Universitatum i ri, (MCU2020), i cili i shqyrtoi dhe i mori parasysh ndryshimet në fushën e arsimit të lartë që kur dokumenti origjinal u përgatit në vitin 1988 dhe parashikoi botën me të cilën do të përballen universitetet në vitet 2020 dhe më pas.
Prof.Llunji dha kontributin e saj në trajtimin e këtyre dy dokumentet dhe mënyrën sesi universitetet, në praktikë, mund të balancojnë orientimin strategjik të veprimtarive të tyre drejt qëllimeve të mëdha shoqërore duke theksuar lirinë akademike dhe, posaçërisht, lirinë individuale të studiuesve.