Stafi akademik i AAB-së, u trajnua nga ekspertë të Universitetit “Ghent” të Belgjikës

10 Prill 2019

Kolegji AAB vazhdimisht investon në rritjen e kapaciteteve akademike të profesorëve dhe asistentëve, gjë e cila është reflektuar edhe me faktin se Kolegji AAB është i vetmi institucion jopublik në rajon i cili ka përjetuar rritje të dukshme në rankimin ndërkombëtar të institucioneve të arsimit të lartë. 

Në këtë kuadër, u organizua edhe workshop-i i mbajtur së fundmi me 60 profesorë dhe asistentë të Kolegjit AAB, të cilët u trajnuan nga ekspertë me emër botëror në fushën e publikimeve akademike nga Univeristeti i Ghent-it. Prof. Dr. Stef Slembrouck, një akademik me një eksperiencë 25 vjeçare në jetën akademike dhe autor i shumë publikimeve në revistat më prestigjoze në shkencën e gjuhësisë.

Slembrouck, gjatë sesionit të tij u përqëndrua në mënyrën se si t’ i evidentojmë revistat e duhura dhe si t’ u qasemi atyre në mënyrë të sukseshme.  

Gjithashtu, Dr. Mieke Vandenbroucke, në cilësinë e kryeredaktores së një reviste shkencore në Universitetin e Ghent-it, i informoi profesorët në lidhje me etapat e redaktimit deri në momentin përfundimtar të botimit të një punimi shkencor, duke dhënë udhëzime praktike në rastet kur kërkohen ndryshime të punimit në formë dhe përmbajtje.

Në një sesion paralel, profesorët dhe asistentët e Kolegjit AAB, u trajnuan gjithashtu nga ekspertja Dr. Sarah Haas, e cila me një metodë shumë pragmatike demonstroi karakteristikat e të shkruarit dhe kriteret e një punimi për një revistë shkencore prestigjoze.

Share: