Ambasadori Kolly: “Është edhe në interesin e Zvicrës të kemi marrëdhënie të ngushta me Kosovën”

8 Maj 2021

Kanë vazhduar ligjëratat speciale me ambasadorë të akredituar në vendin tonë, për studentët e nivelit master të Fakultetit të Administratës Publike, në kuadër të moduleve të Historisë së Diplomacisë dhe të Politikës së Jashtme.

Ishte Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Sh.T. Thomas Kolly, i ftuari i radhës i cili ndau me studentët tanë historinë e shtetit zviceran, por edhe qëndrimet e Zvicrës për politikën e jashtme.

Duke folur për raportet diplomatike të Zvicrës dhe Kosovës, ambasadori zviceran Kolly theksoi se Zvicra ka një marrëdhënie shumë të veçantë me Kosovën, gjë që ka ndikuar që Zvicra të ishte një nga vendet e para që njohu Kosovën si një vend të pavarur.

‘’Është edhe në interesin tonë (të Zvicrës) që ta kemi këtë bashkëpunim. Ky nuk është një proces i një anshëm, shkon në të dy anët, sepse edhe ne si Zvicër kemi benefitet tona, kështu që është në interesin tonë që të kemi një marrëdhënie të ngushtë me Kosovën dhe ne jemi shumë të lumtur për këtë’’, theksoi Kolly.

Ai foli edhe për sukseset dhe arritjet e shqiptarëve të Kosovës në Zvicër, ku theksoi se në të kaluarën kishte interesim të madh për të emigruar për shkak të kushteve ekonomike. Ndërsa sot, lidhjen e Zvicrës me Kosovën mund ta lidhim edhe me Ylfete Fanaj, që është shqiptare nga Kosova dhe është Kryetare e Këshillit të Kantonit të Luzernit.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, para ligjëratës me studentë u prit nga prorektorët Shemsedin Vehapi e Venera Llunji, të cilët e njoftuan për historikun, zhvillimin dhe synimet e Kolegjit AAB.

Share: