Ambasadorja Aliferi: Greqia mbështet fuqishëm liberalizimin e vizave për kosovarët

15 Maj 2021

Ligjëratën në temën “Politika e jashtme e Greqisë”, shefja e Zyrës Diplomatike të Greqisë në Kosovë, Ambasadorja Chryssoula Aliferi, e ka nisur me historinë e Greqisë dhe të kombit grek, historinë e formimit të kombeve të Ballkanit dhe zhvillimet historike të këtij territori.

Ambasdorja Aliferi, ka folur gjithashtu për sistemin parlamentar të Greqisë, për të cilin ka thënë se është i njëjtë me systemin e Kosvoës.

Ajo më pas ka folur për qëndrimet e shtetit grek, duke theksuar se grekët ndihen krenarë që janë i përkasin Ballkanit. “Ne jemi një shtet që besojmë në Kombet e Bashkuara, në kartën e të drejtave të njeriut, në diplomacinë multilaterale dhe duam të respektojmë të drejtën ndërkombëtare, ne insistojmë në fakte.

Ne jemi një shtet krenar Ballkanik. E them këtë sepse kemi ballkanas që nuk janë krenarë që janë ballkanas. Ne duam të ndërtojmë ura. Ne jemi në një zonë të privilegjuar. Shumë sfiduese, por e privilegjuar.”

Diplomatja greke gjithashtu ka shpejguar edhe raportet dhe qëndrimet e shtetit të saj karshi vendeve të rajonit, duke theksuar se ata përpiqen që të kenë marrëdhënie të mira me ta, si me Turqinë, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, për të cilët tha se do të dëshironin të jenë pjesë integrale e BE-së.

Duke folur për njohjen e Kosovës nga Greqia, ambasadorja Aliferi tha se Greqia nuk e ka njohur ende Kosovën, porse kujdesen për Kosovën, madje disa herë edhe më shumë se vendet që na kanë njohur.

“Ne nuk ju njohim por kujdesemi, kujdesemi shumë dhe kujdesemi ndonjëherë më shumë sesa disa njohës. Faleminderit për zyrën pasi jam ambasador në vend.

Greqia ka qenë këtu përmes NATO, KFOR, Eulex. Ne kishim njerëz tanë edhe në UNMIK. Ne e kemi ndihmuar Kosovën të hyjë në organizata specifike ndërkombëtare. Ne njohim pasaportat, lëshojmë viza. Ne duam të hiqen vizat. Duhet të presim vendimet e partnerëve tanë.

Por, ne favorizojmë fuqimisht liberalizimin e vizave për Kosovën”, tha Aliferi.

Në fund të ligjëratës, në sesionin e diskutimit me studentët, diplomatja e karrierës Chryssoula Aliferi, ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin ka thënë se mbështesin një dialog nën ndërmjetësimin e BE-së, i cili do të sillte një zgjidhje përfundimtare:

“Rezultatet e mira do të hapin rrugën për shumë gjëra. Për kompromise, mos na pyetni neve, sepse ne kemi bërë kompromiset tona vite më parë.

Jeta vazhdon, por ju duhet të mendoni për të ardhmen tuaj dhe të ardhmen e fëmijëve tuaj. Lërini udhëheqësit tuaj të jenë bujarë me anën tjetër.”

Ligjërata me ambasadoren greke u organizua në kuadër të moduleve “Politika e jashtme” dhe “Historia e diplomacisë”, të cilat ligjërohen nga prof.Nexhmedin Spahiu në kuadër të Fakultetit të Administratës Publike.

Share: