Ministri Veliaj në AAB: Marrëveshje konkrete në të mirë të qytetarëve në Kosovë e në Shqipëri

6 Mars 2015

Ministri Veliaj tha se beson që Shqipëria dhe shqiptarët në rajon janë eksportues të paqes dhe janë ndoshta arsyeja kryesore pse ka paqe në rajon, sepse është vullneti i lidershipit shqiptar, këndej dhe andej kufirit për të qenë një faktor stabilizues në vend.

 

Ministri Veliaj në këtë ligjëratë me studentët e Kolegjit AAB foli edhe për punën e ministrisë që ai drejton duke thënë se Shqipëria shpenzon sot më shumë në fondin e saj social për personat me ndihmë ekonomike, në fond papunësie dhe personave me aftësi të kufizuara se sa çdo vend tjetër per kapita, apo përqindje të GDP-së në rajon.

 

Ai tha ndër të tjera se nuk ka ardhur në Kosovë të flasë për gjërat politike: “Shqipëri-Kosovë, vëllai i im, vëllai i yt, ja ku jemi”, por për gjëra konkrete që kanë impakt te jeta e njerëzve.

 

“Një prej tyre ka qenë marrëveshja për lejet e punës. Një shqiptari nga Shqipëria që punon në Kosovë, apo një shqiptari nga Kosova që punon në Shqipëri i duhen mesatarisht tre muaj që të nxjerrë lejen e punës. Është një burokraci totalisht e panevojshme. Në një treg pune me pesë milionë banorë është më lehtë që gjesh punë sesa në një vend me dy, ose me tre milionë banorë. Ngase tregu i punës është i gjerë nga Mitrovica deri në Gjirokastër”, tha ai

 

Marrëveshja tjetër, vazhdon ai, që kanë bërë me Kosovën kanë qenë me qendrat e formimit profesional ku për herë të parë të gjithë qytetarët e Kosovës që punojnë në Shqipëri apo që jetojnë në Shqipëri mund të trajnohen në qendrat tona të aftësimit profesional dhe anasjelltas.

 

“Kjo është veçanërisht e nevojshme për disa zona depresive ekonomike që ne kemi. Psh. Zona e Kukësit është me 40 për qind të  njerëzve që janë me ndihmë ekonomike, me papunësi të theksuar dhe në pamundësi që shteti shqiptar të investojë disa miliona euro në qendrën e aftësimit profesional, shumë kollaj, Kukësi, Tropoja dhe Hasi mund të përdorin aksesin që kanë, falë kësaj marrëveshje, në Gjakovë dhe në Prizren.  Shqipëria po përgatitet për një projekt shumë të madh, është projekti “TAP” që do të sjellë gazin nga Azerbajxhani nëpërmjet Shqipërisë për në Itali, ku Shqipëria do të duhej të rekrutojë mijëra saldatorë dhe prej shumë këtyre zonave me papunësi, marrja e një zanati të tillë në Gjakovë apo në Prizren ose edhe stafeve që do të vijnë për të punuar nga Kosova është një mundësi fantastike ekonomike që ne duhet ta shfrytëzojmë nga tani deri më 2020 që do të jemi pjesë e këtij projekti”, theksoi Veliaj.

 

Ministri Veliaj gjatë qëndrimit të tij në Kolegjin AAB, i shoqëruar edhe me Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë,  QemalMinxhozi, mbajti takim edhe me rektorin e këtij universiteti, z. LulzimTafa, me të cilin biseduan për bashkëpunimin ndëruniversitar Kosovë-Shqipëri dhe përgatitjen e kuadrove të reja për tregun e punës.

Share: