Prevallë, dhjetor 2014- Në kalendarin e aktiviteteve të AAB-së, një vend të rëndësishëm kanë edhe punëtoritë dhe trajnimet e ndryshme për rritjen e kapaciteteve të stafit. Pesëdhjetë e tetë zyrtar të lartë dhe menaxherë sektorial të AAB-së, në ambientet e hotelit“Sharr” në Prevallë zhvilluan një punëtori njëditore për aftësimin e personelit. Punëtoria u zhvillua në kuadër të programit për implementimin e strukturës së re menaxhuese në nivel të fakulteteve në AAB.
Në pjesën e paradites, pjesëmarrësit punuan në pesë seanca paralele tematike sipas strukturës së re në të cilat u diskutua përkatësisht për cilësinë, shkencën,projektet hulumtuese, mentorimin e punës praktike dhe aktivitetet studentore.
Në seancën e pasdites u diskutua a kryesisht për platformën e re online dhe rolin e dekanëve në strukturën e re.
Në këtë punëtori u diskutuan gjithashtu rolet e reja, format e përkrahjes dhe u hartuan planet e veprimit për implementimin e strukturës së re. Njëkohësisht, të gjitha grupet diskutuan aktivitetet që do të përkrahen gjatë gjashtë muajve në vijim në implementim të strukturës së re dhe të planit strategjik të AAB-së për vitin 2015.
Në mbyllje të punëtorisë rektori Lulëzim Tafa, përsëriti përkushtimin e rektoratit dhe premtoi përkrahje të vazhdueshme për zhvillimin profesional të personelit dhe për avancimin e pandërprerë teknologjik e menaxherial të AAB-së.