Filluan punimet e Konferencës së Tretë Shkencore Ndërkombëtare për Arkitekturë IAC/KNA-2015

25 Prill 2015

“ARKITEKTURA DHE IDENTITETI- Çështjet kritike në diskursin bashkëkohor në qasje rajonale”, kështu është titulluar Konferenca e Tretë Shkencore Ndërkombëtare për Arkitekturë dhe Planifikim Urban, organizuar nga Kolegji AAB, e cila i filloi punimet sot, në Kolegjin AAB. 
Tashmë tradicionale, kjo Konferencë ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm te akademikët, studiuesit dhe profesionistët e kësaj fushe jo vetëm nga vendi dhe rajoni, por edhe nga shtetet tjera si: Kroacia, Sllovenia, Austria, Italia, Greqia, Turqia, etj., ndërsa pjesëmarrës në Konferencë përmes prezantimeve virtuale janë edhe studiues dhe arkitektë të njohur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Temat që do të shtjellohen në konferencë janë nga fusha e arkitekturës, urbanizmit, identitetit, trashëgimisë, rajonalizmit, arkeologjisë dhe globalizmit.

Me rastin e hapjes së punimeve të konferencës, Rektori i Kolegjit AAB, Prof.dr. Lulzim Tafa, tha se çështjet e arkitekturës dhe të urbanizmit gjithherë e më shumë po bëhen çështje jetike për ekzistencën tonë dhe funksionalitetin e qyteteve dhe vendbanimeve, për shkak të zhvillimit të hovshëm të tyre, andaj konsideroj, pikërisht është detyrë e universiteteve, sidomos e fakulteteve të arkitekturës, profesorëve dhe studentëve që me profesionalizimin e tyre, vullnetin përkushtimin dhe kreativitetin krijues të kontribuojnë në zhvillimin e qyteteve dhe vendbanimeve tona.

Në hapjen e punimeve të konferencës mori pjesë edhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Qeverinë e Kosovës, Prof.dr. Ferid Agani, i cili tha se sigurimi i mirëqenies së qëndrueshme për qytetarët e vendit dhe krijimi i hapësirave me standarde për një jetesë të shëndoshë, është obligim i çdo profesionisti të angazhuar në këtë proces. Ministri Agani gjithashtu ka shprehur gatishmërinë e ministrisë që ai e drejton për të gjetur zgjidhje për problematikat që paraqiten rreth fushës së arkitekturës dhe planifikimit urban dhe se së shpejti do të fillohet që këto çështje të vihen në binarë me Ligjin për Odat e Arkitektëve dhe Ndërtimtarëve.

Punimet e konferencës do të zhvillohen në disa sesione. Te sesioni “Arkitektura dhe Identiteti” ligjëratën kryesore e mbajti Giorgio Gianighian, në temën “Autenticiteti dhe Identiteti në Konzervimin arkitektural dhe urban: disa Reflektime” dhe Andrea Griletto “Autenticiteti dhe Koherenca: Restaurimi i Mesxhidit të Sheik Sulejmanit në Stamboll”. Në sesionet tjera u prezantuan këto tema: Vjollca Aliu, Enver Rexha, Milot Berisha, Arben Hajdari, Florina Jerliu “Projekti i lokalitetit arkeologjik Ulpiana’ 2014-15”. Nora Demjaha & prof. Pavlos Lefas “Forma e shtëpisë dhe identiteti. Rasti i Athinës moderne”, Peter Gobrijelcic”Contemporary slovenian architecture”Arta Januzi-Cana “Druri si pjesë e identitetit arkitektonik –një vështrim i zhvillimit të arkitekturës së drurit në Kosovë”, Borut Juvanec “Arkitektura vernakulare sllovene, problematikat dhe zgjidhjet e mundshme” Adelina Tahiri “[Ri]Ndërtimi i Identitetit nëpërmjet qytetit bashkëkohor”Eliza Hoxha “Prishtina ID-entiteti”, Arbnor Murati “Prishtina Quo vadis?”.

Gjatë kësaj konferencë u paraqitën edhe disa poster- prezantime nga Identiteti sipas Dizajnit.

Në konferencën, me punimet e tyre hulumtuese përveç që janë paraqitur studiuesit nga fushat e cekura dhe nga vendet e ndryshme të botës të cekura si më lartë, po ashtu u prezantuan edhe një varg punimesh e hulumtimesh të studiuesve të rinj, mësimdhënës universitarë dhe të institucioneve partnere të AAB-së dhe studentë të këtyre profileve.

Konferenca do të zhvillojë punimet edhe në ditën e dytë të saj, me ç’ rast pjesëmarrësit do t’ i bëjnë një vizitë trashëgimisë arkitekturale e kulturore të Kosovës.

Hapjen e punimeve të konferncës dhe punimet e ditës së parë, mund t’ i ndiqni të regjistruara në kanalin tonë zyrtar në youtube:

Share: