U promovua fjalori “Terminologjia Kriminalistike”, i autorëve prof. dr. Nedzad Korajlic, dr. sc. Driton Muharremi dhe dr. sc. Xhemajl Ademaj, ndërkaq recensentë prof. dr. Ragip Halili, prof. dr. Fejzullah Hasani dhe prof. dr. Lulzim Tafa. Fjalori ka 520 faqe, të përpunuar në 6645 nocione e terme, kryesisht të dominuar nga fusha e kriminalistikës, por edhe të fushave të tjera të lidhura ngushtë me fushën e kriminalistikës, kriminologjisë, procedurës penale, penologjisë, të drejtës penale, mjekësisë ligjore dhe të gjitha shkencave tjera, kryesisht të fushës së drejtësisë, por edhe të disa fushave të reja siç është ajo e kibernetikës etj., e që janë të lidhura më të drejtën penale.
Botimi i fjalorit është mbështetur nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës.
Me rastin e promovimit, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa,tha se Ministria e Punëve të Brendshme me kënaqësi ka pranuar kërkesën e tre autorëve për të mbështetur këtë fjalor të rëndësishëm, për arsye se konsiderojmë se institucionet tona kanë pasur nevojë për një vepër të tillë shkencore, aq më tepër që kjo vepër po bëhet me një bashkëpunim ndërkombëtar, ku përveç autorëve nga Kosova kemi edhe një autor nga Republika e Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Nga ky tekst përveç studentëve do të përfitojnë edhe institucionet e Republikës së Kosovës, siç është Akademia e Kosovës për Siguri Publike, Agjencia e Kosovës për Forenzikë dhe Policia e Kosovës, si agjenci e zbatimit të ligjit”, theksoi zëvendësministri Musrafa, duke shtuar se MPB është e hapur për të bashkëpunuar edhe në vepra të reja dhe inkurajoi studiuesit tjerë që të punojnë edhe tituj tjerë shkencorë.
Ndërsa, rektori i Kolegjit AAB, prof. dr. Lulzim Tafa, ka thënë se është një fjalori me rëndësi të veçantë shkencore jo vetëm për faktin se është i vetmi dhe i pari fjalor i tillë në gjuhën shqipe, por edhe sepse përmban vlera të larta shkencore. “Në këtë fjalor, aty këtu, mund të hasim edhe terminologji të së drejtës zakonore, siç është besa në traditën tonë, apo edhe terminologji nga intuitat e akterëve me prirje kriminale, siç është për shembull ‘besëtytnia kriminale’, apo nocioni i llojeve të vdekjes si “vdekja e bardhë’, ‘vdekja e ëmbël’, që si përkufizim terminologjik tingëllon si terminologji letrare dhe artistike e shkencore, natyrisht të lidhura ngushtë me shkencën e kriminalistikës”, ka thënë prof. dr. Tafa.
Kurse, autorët e këtij fjalori thanë se me botimin e këtij fjalori do të përfitojnë agjencitë e zbatimit të ligjit në Kosovë, ku në formë të detajuar janë të specifikuara të gjitha terminologjitë e rasteve dhe veprave kriminale, të cilat më këtë vepër identifikohen dhe emërtohen sipas terminologjisë kriminalistike.
Vlen të theksohet se dy nga autorët e këtij fjalori janë mësimdhënës në Kolegjit AAB, prof. dr. Nedzad Korajlic dhe dr. sc. Driton Muharremi.