Diplomati Scott Lang: SHBA-të synojnë integrimin e gjithë kombeve ballkanike në NATO, përfshirë Kosovën dhe Serbinë

21 Mars 2015
Prishtinë, 21 mars 2015 –  “SHBA-të synojnë integrimin e gjithë kombeve ballkanike në NATO,  përfshirë Kosovën dhe Serbinë” kështu deklaroi diplomati amerikan Scott Lang,   para studentëve të Fakultetit  Shkenca Politike dhe Diplomaci të Kolegjit AAB,  si mysafir-ligjërues në temën  “Politika e jashtme amerikane”.
 
Ai potencoi se SHBA-të po e përcjellin me vëmendje dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë  me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian  dhe se SHBA-të përkrahin  anëtarësimin në Bashkimin Evropian të të gjitha kombeve ballkanike.  Lang përmendi se Kroacia para se të bëhej vend anëtar i BE-së u anëtarësua në NATO së bashku me Shqipërinë  dhe se vendi i tij ka raporte të  mira Serbinë, edhe në nivelin ushtarak.
 
Diplomati Scott Lang iu shmang përgjigjes direkte në pyetjen e një studenti, nëse Amerika  përkrahë apo jo kërkesën e serbëve që Asociacioni i Komunave Serbe të ketë kompetenca ekzekutive , duke thëne se SHBA-të  do të pranojnë marrëveshjet qe i nënshkruajnë të dyja qeveritë, duke nënkuptuar këtu qeveritë,  e Kosovës dhe Serbisë.
 
Lang u pajtua me hyrjen e profesorit të lendes, Nexhmedin Spahiu se Amerika është   një komb i ndërtuar mbi vlera të larta morale me vetë faktin se katër themeluesit e kombit amerikan: George Washington, John Adams, Thomas Jefferson e James Madison  nuk e eliminuan njeri tjetrin por secilit i erdhi radha të bëhej president i Amerikës. Pikërisht ky fakt ka bërë që kombi amerikan të jetë kombi më i fuqishëm i botës.
Diplomati Scott Lang  në fund është  përgjigjur edhe në një varg pyetjesh të shtruara nga studentët e AAB-së.

Share: