Mesazh i Rektorit të Kolegit AAB, Bujar Demjaha me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2021/22

15 Tetor 2021

Të dashur studentë të Kolegjit AAB,
Shumica nga ne jemi mësuar që fillimi i vitit të ri akademik të sjellë emocione, më së shumti tek ju studentët e vitit të parë por sigurisht edhe të tjerët dhe të gjithë ne pa dallim.

Pa mëdyshje që edhe afati i provimeve ka imponuar një mobilizim të konsiderueshëm por fillimi i ligjëratave është gjithmonë sfidë që mësimi të fillojë sa më mbarë duke pasur përkushtim të shtuar nga të gjithë.

Vijueshmëria e rregullt e mësimit përveç që sjell pikë të dobishme në përllogaritjen e notës përfundimtare, garanton zotim sistematik të materies studimore dhe kalueshmëri më të lartë në fazën e provimeve.

Shndërroni studimet tuaja në kënaqësi duke diskutuar çështjet me mësimdhënësit dhe kolegët tuaj dhe duke vizituar bibliotekën!

Ju rekomandoj që të vizitoni me pedanteri e-service dhe kërkoni nga të gjithë mësimdhënësit t’ i ngarkojnë aty syllabuset, ligjëratat dhe literaturën.

Në veçanti ftohen studentët e vitit të parë që të jenë prezentë që nga fillimi të ambientohen sa më mirë dhe sa më shpejt në jetën studentore në Kolegjin AAB.

Kërkoni ndihmë ose te kolegët tuaj të Unionit Studentor apo te administrata e fakultetit përkatës!

Situata e stërzgjatur pandemike ka bërë që të bie morali, por si institucion i arsimit të lartë kemi obligim të jemi shembull në respektimin e masave kundër-covid.

Në fund por më e rëndësishmja, ta përjetojmë fillimin e vitit të ri akademik si një shtytje dhe ta mirëpresim me pozitivitet! T’ ia rikujtojmë vetes dhe kolegëve përskaj se shumëkush do të kishte pasur dëshirë të madhe të jetë në vendin tonë! Le ta përjetojmë këtë mundësi si privilegj!

Urime fillimi i vitit të ri akademik 2021/22!

Bujar Demjaha,
Rektor i Kolegjit AAB

Share: