Studenti Halil Luzha realizon shndërrimin e energjisë diellore në elektrike në laboratoret e AAB-së

18 Nëntor 2016

Halil Luzha, student i Shkencës Kompjuterike, në kuadër të lëndës: Bazat e Elektroteknikës, ka dizajnuar dhe krijuar projektin paneli solar,  që ka të bëjë me energjinë e ripërtëritshme përkatësisht me shfrytëzimin e burimeve të energjisë diellore.

Studenti Luzha përshkruan se cilat janë elementet bazë për realizmin  e këtij projekti: “Elementet për realizimin e projektit janë: dy pllaka solare të cilat me pranimin e rrezeve të diellit përmes një pllake elektronike bëjnë shndërrimine energjisë nga ajo diellore në atë elektrike, pastaj kjo energji transferohet në bateri dhe pastaj energjia e akumuluar mund të shfrytëzohet për pajisje të ndryshme, të cilat mbushen me tension të ulët të furnizimit siç janë pajisjet e ndryshme mobile apo edhe ndonjë poç elektrik që i përshtatet parametrave të projektit”, ka thënë studenti Luzha. Sipas tij, kjo pajisje mund të bartet edhe në ato vende ku nuk ka rrjet elektrik.

Halili ndër të tjera falënderon Kolegjin AAB që studentëve po ua mundëson përdorimin e të gjitha veglave të punës dhe ambientin për realizmin  e këtyre projekteve. Ai madje konsideron se projekti i tij mund të gjejë zbatim edhe në vet objektet e AAB-së, sepse sipas tij objektet e kampusit universitar të AAB-së gjenden në pozitë shumë të mirë për të shfrytëzuar energjinë solare.

Ndërsa, mësimdhënësi Altin Shala, njëherit edhe dhe monitorues  i projektit në fjalë, ka thënë se objektivat e pritura janë realizuar suksesshëm nga Halili, i cili ka treguar një rezultat të shkëlqyer  gjatë gjithë kësaj kohe deri te realizmi i projektit. Shala shtoi se sfidat kryesore në të gjithë botën sa i përket prodhimit të energjisë janë që të investohet në këtë fushë, në mënyrë që të kalohet në prodhim të energjisë, duke i shfrytëzuar burimet natyrore.

Share: