Maturantët e Podujevës fituan Kupën e AAB-së në futboll të vogël

8 Prill 2017

Turneu tradicional i maturantëve të shkollave të mesme të Kosovës, i organizuar nga Kolegji AAB, është mbyllur sot me ndeshjen finale në mes të ekipeve të maturantëve përkatësisht nga shkollat e mesme “Isa Boletini” nga Podujeva dhe “Hivzi Sylejmani” nga Fushë Kosova.

Në këtë turne të futbollit, organizuar nga Fakulteti i Kulturës Fizike të Kolegjit AAB, morën pjesë 42 ekipe nga të gjitha shkollat e mesme të Kosovës, të cilët për dy javë rresht garuan sipas shortit në palestrën sportive të AAB-së.

Në ndeshjen finale, që u zhvillua sot, në mes të Shkollës së mesme “Isa Boletini” nga Podujeva dhe Shkollës “Hivzi Sulejmani” nga Fushë Kosova, fitues dolën maturantët llapjanë pas ekzekutimit të penaltive, me rezultat 4:3.

Në vendin e dytë u radhitën maturantët nga Fushë Kosova, ndërsa vendi i tretë i takoi Shkollës “MIXE” nga Kamenica.

Përveç medaljeve dhe kupës, organizatori për tre vendet e para ndau shpërblime monetare për tre ekipet më të mira: 1000 euro për vendin e parë, 300 euro për të dytin dhe vendi i tretë u shpërblye me 100 euro.

Shpërblimet për fituesit i ndau ylli shqiptar i futbollit, Lorik Cana.

Share: