Me 24 dhe 25 maj 2022 në Kolegjin AAB do të mbahet edicioni i tretë i festivalit të studentëve PAAF

21 Maj 2022

I konceptuar për të promovuar punën e studentëve të Fakultetit të Arteve, festivali i vetëm i studentëve në Kosovë, Prishtina Arts & Architecture Festival, nis të martën edicionin e tij të tretë.

Ky edicion që do të zgjasë nga 24-25 maj 2022, në hapësirat moderne të Kolegjit AAB do të sjellë risi në përmbajtjen e tij, ndërsa do të prezantohet krijimtaria njëvjeçare e studentëve të të gjitha programeve: pikturë, dizajn grafik, dizajn mode, arkitekturë, enterier, koreografi,muzikë.

Në ditën e parë të festivalit, PAAF2022 do të sjellë një program artistik të studentëve të Fakultetit të Muzikologjisë dhe Koreografisë, të cilët do të performojnë vepra të ndryshme individuale e grupore, në këndim e instrumente dhe vallëzim, ndërsa do të ketë edhe një prezantim të Korit të studentëve të Kolegjit AAB me një varg pikash muzikore. Në bazë të kontributit shumëvjeçar dhënë në fushën e arsimit dhe shkencës, dhe ngritjen e cilësisë në këta sektorë në Kosovë edhe më tej, si dhe kontributit të pareshtur në avancimin e studentëve, Fakulteti i Arteve i Kolegjit AAB, akademikut Shyqri Nimani, ia jep titullin “Profesor Nderi”.

Po kështu, dita e parë e PAAF 2022, do të jetë edhe dita hapëse e Ekspozitës Kolektive të Studentëve, ku do të prezantohen dhjetëra punime të studentëve dhe vëmendja e veçantë i është kushtuar programit Dizajnit Mode ku studentët do të sjellin kreacionet e tyre në dizajnin e veshjeve, të cilat janë punuar nën përkujdesjen e mësimdhënëses Krenare Rugova. 

Dita e tretë e festivalit, do të fokusohet gjithashtu edhe në fushën e arkitekturës dhe enterierit në kuadër të së cilës do të mbahen ëorkshop-et ku studentët do të ndjekin trajnime e punëtori.

Veçanti tjetër e edicionit të tretë të PAAF 2022 do të jetë edhe Kolonia Artistike, ku studentë t e programit të arteve vizuele nga Kolegji AAB, Universiteti i Prishtinës, për dy ditë radhë do të punojnë në Shëngjin për të shkëmbyer përvojat e tyre dhe për të krijuar vepra që do të mbeten gjatë në Galeritë e Kolegjit AAB.

PAAF 2022 do të jetë më ndryshe, andaj ftohen të gjithë të interesuarit të vijnë dhe të vizitojnë nga afër punimet artistike të studentëve. 

Share: