‘Tuneli’, një film që i flet politikës

15 Nëntor 2017

Filmi “Tuneli” një dramë – satirë me skenar dhe regji nga Ilir Harxhi u dha sot premierë në teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB.

Filmi subjekt kryesor ka realitetin e sotëm shqiptar. Regjisori Ilir Harxhi tregon se një projekt, që ka nisur para 5 viteve me shkrimin e skenarit është film artistik me metrazh të gjatë. 

Në filmin “Tuneli” luajnë aktorë nga më të shquarit, si Robert Ndrenika, Enver Petrovci, Sokol Angjeli etj.

Ilir Harxhi e pagëzoi me titullin “Tuneli”, 5 vite më parë, kur vendosi që mbi tregimin e Pëllumb Kullës, të ndërtonte një skenar për filmin e tij të ri. Një film që i flet realitetit politik në vend. Në një konferencë për media e cila u mbajt pas filmit në teatrin “Faruk Begolli” në AAB, Harxhi tha se shpreson në suksesin e këtij filmi, sepse çdo qytetar apo politikan do e gjejë vetën në këtë film.

“Korrupsioni është tema kryesore në këtë film, ka gjithë atë fenomen në qendër, do të thotë kryefjala e tij është korrupsioni, kuptohet i veshur me art, e thënë me aq sa kam pasur mundësi unë, që së bashku me trupën artistike të sjell një vlerë të shtuar në kinema”, u shpreh regjisori Ilir Harxhi.

Pjesëmarrës në këtë film ishte edhe aktori i njohur Enver Petrovci  i cili shprehu mirënjohje për regjisorin Harxhi dhe për filmin në veçanti. Petrovci tha se ky film nuk duhet humbur sepse në vete ngërthen realitetin shqiptar të politikës në Kosovë e Shqipëri.

“Unë jam i bindur për suksesin e këtij filmi edhe në Kosovë, duke e ditur gjendjen aktuale të këtyre dy vendeve dhe nuk kam pasur dilema që të marrë pjesë në këtë film, ka qenë një ekip i shkëlqyeshëm përfundoi Petrovci”.

Si regjisor Ilir Harxhi deri tani ka realizuar tetë filma, nga këta një film dokumentar. 

Share: