Përfaqësues të Unioneve të Studentëve nga Belgjika, Karel Van Den Bossche (nga Universiteti Brussels) dhe Gwyneth Sweatman ( NUS Wales) nga Unioni i Studentëve të Anglisë, të cilët janë partnerë të projektit të Komisionit Evropian për Unionin e Studentëve të Kosovës (USK), vizituan Kolegjin AAB në Prishtinë, në saje të vizitës së tyre zyrtare në Kosovë.
Ata u mirëpritën në takim nga zv.rektori z. Shemsedin Vehapi dhe përfaqësuesja e Kolegjit AAB në USK Krenare Çerkini, si dhe nga anëtarët e tjerë të kryesisë së këtij Unioni. Gjatë takimit u diskutua për rolin e studentëve duke shpalosur përvojën dhe angazhimin që ata kanë brenda veprimtarisë së tyre rreth përfaqësimit të studentëve të Brukselit dhe të Anglisë. Ndër të tjera, duke i parë kushtet që ofron Kolegji AAB, ata shprehën gatishmërinë e plotë të bashkëpunimit të mundshëm në të ardhmen, rreth mobilitetit të studentëve të Kolegjit AAB dhe stafit akademik.
Zv.rektori Shemsedin Vehapi u shprehu mirënjohje të ngrohta z.Van Den Bossche dhe znj. Sweatman për vizitën në Kolegjin AAB, duke theksuar se Kolegji AAB është çdoherë në gatishmëri të plotë të angazhimit dhe bashkëpunimit në të mirë të studentëve.
Z.Van Den Bossche dhe znj. Sweatman u ndanë jashtëzakonisht të kënaqur me pritjen, duke u shprehur se një institucion të tillë arsimor, që plotëson të gjitha nevojat e studentëve, madje edhe duke edhe i tejkaluar ato, nuk kishin parë as ne Angli, Bruksel apo edhe në vendet e tjera të Evropës.
“Jam i magjepsur! Çdo gjë është e planifikuar dhe menduar kaq mirë, ndërthurja e dizajnit me funksionin është mbresëlënës. Ju rekomandoj të gjithë studentëve që të vijnë dhe të studiojnë në Kolegjin AAB duke qenë se unë vet do të kisha bërë një zgjedhje të tillë“, tha në mes tjerash Karl Van Den Bossche.
Ndërsa Gwyneth Sweatman u shpreh e impresionuar me investimin në AAB. “Kolegji AAB është me të vërtetë një vend kaq fantastik që studentët të studiojnë këtu. Një investim kaq i madh duke i mundësuar kështu studentëve të kenë një qasje sa më të lehtë ndaj studimeve të tyre dhe mundësitë që Kolegji AAB i ofron studentëve janë të jashtëzakonshme. Jam me të vërtetë shumë e impresionuar!“, tha Sweatman.
Unioni i Studentëve të Kosovës, së shpejti do të përfaqësohet në një konferencë ndërkombëtare të studentëve që do të mbahet në Kroaci, e në organizimin e së cilës po punon intensivisht nënkryetarja e USK-së, Krenare Çerkini.