Kolegji AAB bashkëorganizator me Akademinë e Ballkanit për Shkenca Forenzike (BAFS) në konferencën e 13-të shkencore ndërkombëtare mbi studimet forenzike

30 Qershor 2022

Objektivat e shkencave forenzike në përgjithësi bazohen në ndërtimin e platformave dhe standardeve unike globale drejt inovacionit, dokumentimit dhe interpretimit të fakteve kriminalistike në shërbim të institucioneve të drejtësisë. Kjo konferencë e Akademisë së Ballkanit për Shkenca Forenzike e cila do të mbahet me 27 dhe 28 tetor në Kolegjin AAB do të mbledhë shkencëtarë të shkencave forenzike, patologë forenzik, hetues forenzik, infermierë forenzik dhe studiues në shkencat forenzike me qëllim rritjen e nivelit të shërbimeve tona përmes prezentimeve të ndryshme shkencore në fusha të ndryshme të disiplinës.

Në konferencë do të marrin pjesë ekspertë me renome botëror në fushën e shkencave forenzike, përfshirë prof. Duarte Nuno Vieires, Kryetar i Bordit Këshillimor Shkencor të Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Folës kryesor është gjithashtu Dr. John Clark, i cili ka qenë patologu kryesor në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë pas krimeve në Bosne dhe Kroaci si dhe pastaj në Kosovë. Kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre si folës kryesor Prof. dr. Jason Payne, autor i shumë librash universitare mbi studime forenzike dhe Dr. Isabel Riege, e cila është udhëheqëse e DVI ekipit të Interpolit.

Në veçanti, studentët dhe studiuesit e rinj inkurajohen të marrin pjesë nga fusha të ndryshme të shkencave forenzike si patologjia forenzike, antropologjia, arkeologjia, odontologjia, duke përfshirë fushat e së drejtës, kriminalistikës, sigurisë, avokatisë, sistemeve gjyqësore dhe të prokurorisë, për të cilët shkencat forenzike ofrojnë shërbimet e tyre profesionale dhe shkencore. Për më shumë informacione dhe për të dërguar abstraktin, ju mund të klikoni në këtë link: https://www.balkanacademy.org/abstract-submission

Share: