Fakulteti i Infermierisë mbajti tryezë informuese për Ditën Botërore të Kancerit

6 Shkurt 2018

Në Ditën Botërore të Kancerit, Fakulteti i Infermierisë i Kolegjit AAB ka organizuar tryezë informuese me moton “Unë mundem, ne mundemi” – kjo pasi 4 shkurti, është e vetmja nismë ku, e gjithë bota, mund të bashkohet në luftën kundër epidemisë globale të kancerit.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte edukimi dhe informimi i individëve dhe komuniteteve për lidhjet ndërmjet stilit të jetës dhe rrezikut për kancer. Gjithashtu pajisja me njohuritë e përshtatshme rreth luftimit të kësaj sëmundjeje globale.

Për të diskutuar për faktorët e rrezikut që kontribuojnë në zhvillimin e kancerit, të ftuar në këtë tryezë ishin: Dekanati i Fakultetit të Infermierisë i Kolegjit AAB, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Infektologë dhe Grupi debatues-hulumtues i studentëve të Infermierisë.

Dekani i Fakultetit, prof. Idriz Sopjani, tha se për shkak se epidemia globale e kancerit është e madhe dhe është duke u rritur, humbjet nga kanceri, do të mund të shpëtoheshin çdo vit nëse do të ndërmerreshin masat vendimtare.

“Rritja e ndërgjegjësimit për shenjat dhe simptomat, si dhe rëndësia e trajtimit në kohë, ka treguar se ka përmirësime në mbijetesën nga kanceri. Prandaj, zbulimi i hershëmi kancerit pothuajse gjithmonë, e bën më të lehtë trajtimin”, tha dekani i Fakultetit të Infermierisë, Idriz Sopjani. Ai theksoi se Kolegji AAB konkretisht Fakulteti i Infermierisë ka si synim të vazhdojë të promovojë dhe të shtyjë përpara çdo problem në fushën e shëndetësisë, duke përfshirë edhe organizimin e debateve rreth temave të rëndësishme shëndetësore e psikologjike

Ndërsa, prof. Ilir Kurteshi tha se derisa ndërgjegjësimi për kancerin të përmirësohet globalisht, si dhe të ndërmerren veprime të nevojshme për parandalimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje, miliona njerëz në mbarë botën, do të humbin betejën me këtë sëmundje.

Pas përgjigjeve në pyetjet e shumta të studentëve mbi këtë sëmundje, të pranishmit bënë thirrje që të mos anashkalohen simptomat e mundshme të kësaj sëmundjeje. 

Share: