Kolegji AAB dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

20 Prill 2018

Kolegji AAB ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi akademik me Universitetin Shtetëror të Tetovës. Kjo marrëveshje bazohet në shkëmbimin e stafit akademik, shkëmbimin e studentëve, orgnizimin e përbashkët të aktiviteteve akademike dhe shkencore, aplikimin në projekte të përbashkëta si dhe shkëmbimin e praktikave të mira. 

Meqenëse aktivitete të shumta veçse janë zhvilluar mes dy institucioneve dhe atë më së shumti në shkëmbimin e stafit akademik, formalizimi i kësaj marrëveshjeje me shkrim ishte e domosdoshme me qëllim që dy institucionet të aplikojnë edhe në projekte të përbashkëta me qëllim të ndërkombëtraizimit të arsimit të lartë shqiptar.

 Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ahmeti, shprehu konisderatat më të larta për Kolegjin AAB duke e cilësuar atë si institucionin më të madh dhe më kredibil jopublik në Kosovë dhe rajon. 
Nga ana tjetër Rektori i Kolegjit AAB, Prof. Asoc. Dr. Lulzim Tafa, shprehu kënaqësinë që tashmë bashkëpunimi mes dy institucioneve është formalizuar përmes marrëveshjes. Rektori Tafa deklaroi se Kolegji AAB ka përcjellur gjithmonë për së afërmi zhvillimet në Universitetin e Tetovës dhe se vlerëson lartë kontributin e tyre në drejtim të ngritjes dhe avancimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

Universiteti i Tetovës është njëri nga institucionet arsimore më të rëndësishme në trojet shqiptare prandaj Kolegji AAB konsideron se kjo marrëveshje e bashkëpunimit do të mundësojë që dy institucionet do të mbështesin njëra tjetrën në avancimin e cilësisë së studimeve universitare shqiptare.
Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje u zhvilluan edhe tri ndeshje sportive mes studentëve të Kolegjit AAB dhe Universitetit të Tetovës. Ndeshjet u zhvilluan në vollejboll, futboll si dhe basketboll dhe studentët e AAB-së shënuan fitore të merituar kundrejt nikoqirëve në të tri disiplinat.

 

 

Share: