PAAF 2018 në Kolegjin AAB, me sukses mbylli edicionin e sivjetmë, këta janë fituesit e çmimeve

6 Maj 2018

Me aktivitete të shumta, Festivali Ndërkombëtar “Prishtina Architecture and Arts Festival” (PAAF 2018), në Kolegjin AAB ka mbyllur me sukses edicionin e sivjetmë.

Gjatë ditës së djeshme, pos Konferencës Shkencore, aktivitetet kanë vazhduar me koncertin e muzikës akuzmatike, të kompozitores Donika Rudi, mësimdhënëse në Fakultetin e Muzikologjisë në AAB, pastaj me programin e seksionit të filmit me shfaqjen e filmave të shkurtër dhe dokumentarë.

Konferenca Shkencore e festivalit PAAF 2018 mblodhi shumë arkitektë dhe artistë, dizajnerë grafikë, piktorë, muzikologë etj, nga ShBA, Italia, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Turqia, të cilët gjatë ditës së djeshme prezantuan punimet e tyre shkencore, nga të cilët më të mirët do të botohen në Revistën Shkencore Ndërkombëtare të Kolegjit AAB, “Thesis”.

Ndërsa, Koncert i muzikës akuzmatike, vepër e kopmozitores Donika Rudi është zhvilluar përmes sistemit oktofon të 8 altoparlantëve, ku pjesëmarësit patën mundësinë të ndjejnë hapësirën dhe të lejojnë imagjinatën që të vendosë ndjesitë e tyre hapësinore.
Koncerti i muzikës akuzmatike ka qenë një risi jo vetëm për Kolegjin AAB, por edhe për Kosovën dhe mbarë rajonin, pasi kjo lloj muzike është shumë e rrallë dhe mbahet nëpër pak vende të Evropës.

Në fund të ditës së djeshme, u ndanë edhe çmimet për punimet më të mira në PAAF 2018.
Me këtë rast, kryetarja e jurisë së PAAF 2018 në Seksionin e Filmit, Burbuqe Berisha, e cila është edhe dekane e Fakultetit të Komunikimit Masiv të Kolegjit AAB, tha se janë munduar që të përmbledhin punimet më të mira dhe se kanë bërë një seleksionim për të cilin, ajo thotë se ka qenë mjaft dinjitoz.

“Kemi garuar shumë dinjitetshëm me shkolla të tjera të filmit si ajo sllovene, e Bosnjës, Maqedonisë, Shqipërisë, dhe të gjitha vendeve të tjera pjesëmarrëse në këtë festival. Kemi pasur shumë sfida për të nxjerrë më të mirin”, u shpreh ajo.

PAAF 2018 shpërbleu me çmime tre filmat fitues të këtij edicioni.

Çmimin e Inkurajmit e fituan tre filma:

“Për ty Atdhe” – Fitim Rrustemi – Kosovë

“Një ditë dimri në Blinajë” – Valon Demiqi – Kosovë

“Čistoća” – Neven Samardžić – BeH

Poashtu, u ndanë edhe tri çmime për dizajnin më të mirë:

Brendimi më i mirë – Çlirim Vokshi

Diploma më e mirë në Dizajn të Enterierit – Arbenita Mehmeti

Diploma më e mirë në kategorinë e Arkitekturës – Selman Sejdiu

Në këtë mbrëmje u dhanë edhe mirënjohje të gjithë atyre që kontribuan në PAAF 2018, të cilat i ndau drejtori i këtij Festivali, Bujar Demjjaha.

Aktivitetet e Festivalit Ndërkombëtar “Prishtina Architecture and Arts Festival” (PAAF 2018), kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, ku pjesëmarrësit e këtij festivali patën munëdsinë të ndjekin programin në terren, i cili kishte për qëllim promovimin e vlerave kulturore e arkitektonike të Kosovës.

Share: