Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, me ligjëratë vetëdijësuese për studentët e Kolegjit AAB

9 Dhjetor 2022

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka mbajtur ligjëratë vetëdijësuese për studentët e Kolegjit AAB, në kuadër të fushatës ndërkombëtare 16 ditore të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave. Haxhiu, ka diskutuar me studentët e pranishëm për gjendjen dhe raportin e drejtësisë me viktimat e dhunës si dhe hapat që janë ndërmarrë deri tani në luftimin e kësaj dukurie negative.

Ajo tregoi për fushatën sensibilizuese që po mbahet e cila ka filluar me 25 nëntor dhe Kosova ka marrë për herë të parë përsipër ta drejtojë atë, ku tha se qëllimi i kësaj fushate ishte të shtrihet në secilën komunë dhe zonë, e veçanërisht në zonat ku statistikat e dhunës janë shqetësuese.

Tutje, ministrja Haxhiu shtoi se femicidi është jashtëzakonisht i shprehur në shoqërinë tonë, për shkak të sistemit patriarkal dhe shpeshherë mosfunksionimit të drejtësisë.

Studentët dhe profesorët e Kolegjit AAB, i parashtruan pyetje ministres Haxhiu në lidhje me vettingun në drejtësi, rritjen e dënimit për kryesit e krimeve, progresin e proceseve që ndërlidhen me drejtësinë dhe pyetje rreth funksionimit të niveleve komunale në lajmërimin e rasteve te nivelet kompetente.

Share: