Studenti i AAB-së renditet i treti në maratonën 42 km të Malësisë së Gjakovës

24 Tetor 2018

Studenti i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit në Kolegjin AAB, Tirron Mamusha, është renditur si fitues i vendit të tretë në edicionin e tretë të maratonës së Malësisë së Gjakovës.

 Kjo garë e cila ka mbledhur qindra pjesëmarrës ka filluar në qytetin e Bajram Currit dhe ka përfunduar në qytetin e Gjakovës. Vlen të theksohet se kjo maratonë është ndërkombëtare dhe ka një shteg të vrapimit mjaft të vështirë dhe me një konkurencë të fortë ndërkombëtare nga vende të ndryshme si: Kenya, Hong Kong, ShBA, Gjermani, Hungari, Shqipëri dhe Kosovë. Megjithatë, kjo nuk e ka ndalur studentin Mamusha për ta rrëmbyer çmimin e fituesit të tretë.

“Gara ka qenë shumë sfiduese për arsye të terrenit të vështirë dhe garuesve elitarë nga e gjithë bota, mirëpo përgatitjet e mia paraprake për këtë garë ishin maksimale për ta përballuar këtë shteg”, tha Tirroni. 

Sukseset e Tirronit nuk do të ndalen me kaq, pasi qe i njejti do të marrë pjesë edhe në maratonën autentike të Athinës e cila do të mbahet në Greqi me datë 11 nëntor 2018. 

Maratonën e Malësisë së Gjakovës e kanë kaluar me sukses edhe dy profesorët e Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi dhe Besim Gashi.

Share: