Fakulteti i Psikologjisë dhe organizata “Education Comes First” nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

18 Janar 2019

Bazuar në nevojat për t’ i përgatitur studentët për tregun e punës në fushat që lidhen me shërbimet psikologjike, Kolegji AAB, respektivisht Fakulteti i Psikologjisë ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me organizatën “Education Comes First”.

Programi i organizatës ECF përbëhet nga aktivitete të shumta kreative, fushata vetëdijesuese e deri tek zhvillimi i platformave edukative.  Kjo organizatë ka zhvilluar edhe platformën digjitale për librat me zë, duke i krijuar mundësi personave të verbër që të dëgjojnë libra të incizuar nga vullnetarët e organizatës, ndërsa, pjesë të kësaj platforme  tash e tutje  me angazhimin e tyre në punën praktike do të jenë edhe studentët e Psikologjisë të Kolegjit AAB.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje të bashkëpunimit është promovimi i aftësimit profesional të studentëve të Psikologjisë, në fushat që lidhen me shërbimet e ofruara nga kjo organizatë dhe angazhimin e studentëve në punë praktike pranë kësaj qendre.

Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua nga dekanja e Fakultetit të Psikologjisë, prof. Mimoza Kamberi dhe koordinatorja e organizatës ECF, Saranda Rexha.

Share: