Kolegji AAB dhe Amazon—marrëveshje si partnerë strategjikë

27 Prill 2026

Kolegji AAB ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me korporatën globale Amazon, respektivisht me University Engagement Program, iniciativë e mbështetur nga Amazon Women in Engineering, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë.

Ky partneritet strategjik synon të promovojë inovacionin, shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e fuqisë punëtore përmes projekteve të përbashkëta, programeve të mentorimit dhe përfshirjes së profesionistëve të industrisë në procesin arsimor.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Zëvendësrektori Prof. Ilir Bytyçi dhe Alba Mustafaj, inxhiniere softuerike në Amazon dhe njëkohësisht udhëheqëse e programit University Engagement, e cila kontribuon në ndërtimin e urave lidhëse mes industrisë dhe arsimit të lartë. Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm edhe Prorektori për Studentë, Prof. Bujar Tafa, duke mbështetur rëndësinë e këtij partneriteti për studentët dhe zhvillimin e tyre profesional.

Marrëveshja parasheh gjithashtu organizimin e eventeve të përbashkëta, krijimin e mundësive për praktika dhe punësim për studentët, si dhe zhvillimin e kurrikulave që reflektojnë nevojat reale të tregut të punës.

Ky bashkëpunim do të kontribuojë në rritjen e cilësisë akademike dhe në përgatitjen e gjeneratave të reja për sfidat e ekonomisë digjitale dhe inovacionit global.

Share: