Kolegji AAB dhe Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim nga Franca, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi që ka për qëllim promovimin akademik, arsimor dhe kulturor mes dy institucioneve.
Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i Kolegjit AAB, Dr.Sc. Bujar Demjaha, presidenti i Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim, Zt. Tahir Shabani si dhe deputeti i Parlamentit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës njëherësh edhe Zëvendës president i këtij institute, Zt. Eric Leyvraz.
Kjo marrëveshje e bashkëpunimit ngërthen krijimin e mundësive për rrjetëzim dhe shkëmbim reciprok të mësimdhënësve, personelit akademik në fushën e kërkimeve, shkëmbimin e studentëve dhe stafit tjetër për ligjërata, për vizita si dhe shkëmbim të përvojave me universitetet në Francë, Zvicër dhe Evropë, si dhe takime eventuale me Komisionin Evropian.
Përveç nënshkrimit të marrëveshjes u mbajt edhe ceremonia për certifikim të personaliteteve nga Komiteti Botëror i Paqes. Me këtë rast rektorit të Kolegjit AAB, Bujar Demjaha iu nda certifikata “Ambasador i Paqes Botërore”, e ku mori pjesë edhe Dr. Rabit Sadiku, zëvendës president në cilësi të përfaqësuesit nga Komiteti Botëror i Paqes.
Pas nënshkrimit të marrëveshje dhe ndarjes së certifikatave, Zt. Eric Leyvraz mbajti një ligjëratë informuese me studentët e Kolegjit AAB, për diplomacinë parlamentare, duke i njoftuar me sistemin legjislativ të Zvicrës, me historikun e shkurtër të zhvillimit të shtetit zviceran, me veçoritë kulturore dhe historike të këtij vendi duke u përgjigjur më pas në pyetjet dhe komentet e studentëve pjesëmarrës.