Sot më 24.11.2017 në ambientet e Kolegjit AAB u mbajt një takim i përbashkët i dekanatit dhe studentëve të Fakultetit të Psikologjisë.
Qëllimi i këtij takimi ishte formimi dhe riaktivizimi i klubeve të ndryshme studentore në kuadër të fakultetit të Psikologjisë, ku ndër të tjerash studentët do të mund të organizojnë aktivitete të ndryshme studentore në dobi të zhvillimit të tyre personal dhe akademik por gjithashtu të përfshihen dhe të krijojnë shkathësi dhe lidhje të reja.Me shumicë votash, për secilin nga klubet e formuara u përzgjodhën edhe këshillat e klubeve të cilat do shërbejnë si urë lidhëse mes studentëve dhe dekanatit të Psikologjisë.
Klubet e formuara dhe të riaktivizuara janë: Klubi i Debatit, Klubi Studentor për Organizimin e Aktiviteteve Studentore si dhe riaktivizimi i Grupit të Hulumtuesve të Rinj.
Në një prononcim, Dekania prof. Mimoza Kamberi u shpreh tejet e ngazëllyer me motivimin dhe gatishmërinë e studentëve për të qenë pjesëmarrës dhe kontribues në organizimin e aktiviteteve të ndryshme studentore. Ndër të tjera ajo theksoi se përveç anës akademike dhe mësimit padyshim se të gjithë ne kemi nevojë të angazhohemi edhe në aktivitete të tjera të cilat po ashtu do të jenë në dobi të ngritjes së cilësisë por njëkohësisht do të ndikojnë pozitivisht tek ne, duke na bërë të ndihemi persona më të dobishëm, më aktivë, më krijues më eksplorues.
Për dobinë që sjellin këto klube foli edhe prof. Shpend Voca teksa shpalosi sukseset e aktiviteteve studentore nga gjeneratat e kaluara. Ai vuri në pah përfitimet e shumëfishta që studentët kishin fituar në ndërtimin e shkathtësive të reja por njëkohësisht edhe kontributin e suksesshëm që këto aktivitete kishin dhënë në komunitet.