AAB priti fituesen e medaljes olimpike Nora Gjakova

30 Qershor 2015

Kolegji AAB organizoi konferencë për shtyp me rastin e fitores së medaljes së bronztë të studentes së këtij kolegji, Nora Gjakova në Lojërat Olimpike Evropiane në Baku. Në këtë konferencë ishin pjesëmarrës edhe trajneri i Nora Gjakovës, Driton Kuka, Majlinda Kelmendi e cila u shpall kampione e botës në xhudo për vitin 2014, presidenti i Komitetit Olimpik, Besim Hasani, prorektori për Çështje Mësimore në AAB, z. Shemsedin Vehapi, përfaqësuesi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Iber Alaj, si dhe studentë dhe profesor të po të këtij kolegji dhe mysafir të tjerë të ftuar.

Në këtë konferencë për media, Nora Gjakova u shpreh se ishte shumë e kënaqur me suksesin e arritur dhe tregoi motivin dhe qëllimin e saj për medalje: “Me këtë medalje desha t’i tregoj botës se edhe ne jemi të njëjtë (barabartë)”. Ajo u shpreh se kjo sfidë nuk ishte e lehtë, por falë vetëbesimit dhe falë trajnerit të saj Driton Kuka, i cili kishte punuar jashtëzakonisht shumë me të, arriti deri te ky sukses.

Majlinda Kelmendi, e cila po ashtu ishte pjesëmarrëse në këtë konferencë, tha se ndjehet shumë e lumtur që Nora arriti deri te medalja evropiane, dhe u shpreh se ishte jashtëzakonisht sfidë e madhe ku në një moment kishte menduar se është më e lehtë të jesh garues se sa shikues. Ajo u shpreh se me gjithë problemin që kishte Nora, si të gjithë sportistët në Kosovë që kanë problem me vetëbesimin, tha se ajo mund të shkojë shumë larg në këtë sport.

Prorektori i AAB, Shemsedin Vehapi u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur që së pari këto dyja sportiste ishin studente të Kolegjit AAB, të cilat sot janë në listat e kampionëve botërorë të xhudos.

Ai në emër të AAB-ës i uroi Nora Gjakovës fitoren dhe u shpreh se ky është një moment historik për Kosovën dhe njëkohësisht për AAB-në, ku fituesit e medaljeve kanë dalë nga po ky institucion. “Janë të rralla universitetet që sjellin kampionë, ndërsa AAB-ja do të vazhdojë t’i mbështes këta sportistë, që përvojat e tyre t’i gërshetojnë edhe në vendet tjera të botës”, theksoi Vehapi.

Ndërkaq, drejtori i Komitetit Olimpik, z. Besim Hasani u shpreh se ishte jashtëzakonisht i kënaqur që Kosova ishte pjesëmarrëse për herë të parë si një shtet i pavarur dhe sovran. “Të gjithë drejtorët e Komitetit Olimpik ishin shumë të lumtur, pasi që për herë të parë Kosova u stolis me medalje në lojërat ndërkombëtare”, tha Hasani. Ai ia uroi Norës fitoren dhe të gjithë sportistëve nga Kosova që ishin pjesëmarrës në lojërat europiane në Baku, duke u shprehur se këta sportistë kanë shkruar historinë dhe kanë sjellë medaljen në kohën kur Kosova më së shumti ka nevojë për to.

Share: