Arkitekti zviceran Mayer ligjëratë speciale, studentëve të AAB-së: Punoni vetëm projekte të mëdha!

26 Nëntor 2015

Ligjërata në temën “Roli i arkitekturës dhe urbanizmit në transformimin e shoqërisë”,  e cila u mbajt nga arkitekti zviceran Michael Mayer, para studentëve të Fakultetit të Arkitekturës të Kolegjit AAB, kryesisht u përqendrua tek evoluimi i industrisë dhe krijimeve që njeriu i ka sjell përgjatë shekullit XX, e deri në ditët e sotme, ku sektori i arkitekturës, ndërtimtarisë dhe urbanizmit përveç që janë partner të këtij evoluimi janë edhe përfitues.

Ai foli për stafin dhe nivelin e tyre të shkollimit, të cilët punojnë në zyrën e tij projektuese në Zvicër,   dhe praktikat e saj, që në vazhdimësi të punojnë vetëm me projekte të mëdha. Duke folur për projektet, të cilat i realizon kjo zyre, arkitekti Mayer i përmendi disa shembuj nga projektet që i kanë përfunduar kryesisht në qytetin e Gjenevës gjatë shekullit XX, si qendrat historike, zonat industriale dhe artizanate, dhe zonat tjera të përziera, të cilat janë kryesisht të banueshme.

Arkitekti Mayer ka thënë se urbanizmi u është përgjigjur kërkesave të tjera, zgjidhjeve të kërkesave të banimit me banesa me ndërtime të larta, të cilat më herët nuk kanë ekzistuar. 

Pjesa e dytë e ligjëratës kryesisht u përqendrua me shembuj konkret dhe riprojektime të objekteve, të cilat kanë qenë ndërtime të vjetra dhe janë kthyer në ndërtime të banimit të reja, në ndërtim të sallave të sportit, të teatrove, e shumë të tjera.

Gjithashtu arkitekti Mayer u takua edhe me menaxhmentin e lartë të AAB-së,  dhe biseduan për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën akademike, shkencore dhe atë kulturore.

Share: