Këshilli Drejtues ka aprovuar Rregulloren për Procedurën dhe Masat Disiplinore përmes së cilës ka rregulluar fillimisht procedurën disiplinore, komisionet disiplinore, shkeljet disiplinore, masat disiplinore dhe procedurën e ankesës.
Rregullorja aplikohet për të gjithë personelin akademik, jo akademik dhe studentët.
Procedura disiplinore është rregulluar në atë formë ku çdo person i cili identifikon një shkelje disiplinore apo është palë e afektuar nga shkelja e supozuar disiplinore, ka të drejtë ta paraqesë atë pranë Komisionit Disiplinor në nivel të institucionit apo në nivel të fakultetit.
Shkeljet e supozuara disiplinore të personelit akademik dhe atij jo akademik trajtohen në Komisionin Disiplinor në nivel të institucionit, anëtarët e të cilit emërohen nga Këshilli Drejtues për një mandat (4) vjeçar, ndërsa shkeljet e supozuara disiplinore të studentëve trajtohen nga Komisioni Disiplinor në nivel të fakultetit, anëtarët e të cilit zgjedhën nga Këshilli Mësimor i Fakultetit nga radhët e stafit të brendshëm akademik.
Komisionet Disiplinore me rastin e vendosjes, zbatojnë dispozitat e Statutit, Rregullores për Procedurën Disiplinore, dispozitat e akteve tjera të brendshme të institucionit, dhe dispozitat e akteve ligjore dhe nënligjore të aplikueshme.