DEKANIA E RE NË FAKULTETIN E PSIKOLOGJISË: NJË PËRKUSHTIM NDAJ EKSELENCËS AKADEMIKE DHE SHËNDETIT MENDOR – KOLEGJI AAB

2 Tetor 2025

Fakulteti i PsikologjisëKolegjin AAB ka hyrë në një kapitull të ri me emërimin e Prof. Ass. Dr. Arvesa Studenica si Dekane, duke pasuar Arlinda Gashin, PhD cand., e cila udhëhoqi këtë njësi me përkushtim dhe profesionalizëm gjatë muajve të fundit.

Zyrtarizimi i Dekanes së re u mbajt në zyrën e Rektorit të Kolegjit AAB, Dr. Sc. Blerim Olluri, i cili uroi Dekanen e sapoemëruar dhe nënvizoi se kjo fazë e re përbën një hap të rëndësishëm drejt ngritjes së mëtejshme të cilësisë së institucionit dhe fuqizimit të Fakultetit të Psikologjisë.

Në fjalën e saj, Prof. Ass. Dr. Studenica shprehu mirënjohje për punën e bërë nga paraardhësja, duke vlerësuar kontributin e saj në zhvillimin e Fakultetit dhe krijimin e mundësive për rritje dhe bashkëpunim.

Me përvojën e saj akademike në psikologjinë kognitive dhe angazhimin e vazhdueshëm në mësimdhënie, kërkim dhe trajnime, Prof. Ass. Dr. Studenica prezantoi një vizion të qartë për të ardhmen e Fakultetit. Ajo theksoi se Fakulteti tashmë ka arritur një konsolidim të rëndësishëm në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, ndërsa hapi i ardhshëm është zgjerimi i horizonteve në përputhje me zhvillimet bashkëkohore dhe nevojat e shoqërisë.

Siç u shpreh Dekania, arsimi në psikologji nuk është vetëm një proces akademik, por edhe një mision shoqëror, duke përgatitur profesionistë të aftë të ndërthurin njohurinë me humanizmin dhe të kontribuojnë në shëndetin mendor dhe mirëqenien e komunitetit.

Ky tranzicion shënon një moment të rëndësishëm në historinë e Fakultetit të Psikologjisë dhe riafirmon përkushtimin e Kolegjit AAB për të ndërtuar një institucion që edukon me cilësi, frymëzon brezat dhe forcon rolin e psikologjisë në shoqëri.

Share: