Dhjetëra studentë e punonjës të AAB-së iu përgjigjën pozitivisht aksionit për dhurimin vullnetar të gjakut

23 Dhjetor 2020

Studentët dhe stafi i Kolegjit AAB edhe njëherë iu përgjigjën pozitivisht aksionit vullnetar për dhurimin e gjakut që u organizua nga Fakulteti i Infermierisë i Kolegjit AAB, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, në prag të festave të fundvitit.
Dhjetëra studentë dhe punonjës të Kolegjit AAB qysh në orët e para të aksionit shprehën gatishmërinë e tyre për të dhuruar gjak dhe për të ndihmuar personat në nevojë.

Dekani i Fakultetit të Infermierisë në AAB, Idriz Sopjani, falënderoi të gjithë studentët dhe stafin e AAB-së që edhe një herë treguan gatishmërinë e tyre për dhurimin vullnetar të gjakut. Ai gjithashtu përgëzoi dhuruesit, duke e vlerësuar këtë si një veprim të lartë njerëzor.

“Ky aktivitet i dhurimit të gjakut tregon empatinë që kanë studentët dhe stafi i AAB-së për të tjerët. Përveç kujdesit që ofrojmë pranë pacientit ne bëjmë përpjekje që në çdo formë t’ua shpëtojmë jetën apo edhe t’ u krijojmë mundësi të shërimit përmes dhurimit tonë të gjakut” tha dekani i Fakultetit të Infermierisë, Prof.ass.dr. Idriz Sopjani.
Aksioni humanitar i dhurimit të gjakut është bërë tashmë traditë e Kolegjit AAB për të ndihmuar ata që kanë nevojë dhe çdo herë e më shumë ka shënuar rritje të dhuruesve.

Share: