Diplomoi gjenerata e parë e studentëve të programit Teknik i Radiologjisë në Kolegjin AAB

13 Korrik 2020

Pas tre vitesh angazhimi intensiv, në Kolegjin AAB, me respektimin e rekomandimeve të IKSHPK, para komisionit të profesorëve diplomoi me sukses grupi i parë i studentëve të gjeneratës së parë të programit studimor bachelor Teknik i Radiologjisë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, diplomantët mbrojtën me sukses punimet e diplomës, duke përmbyllur kështu ciklin e studimeve dhe duke u kualifikuar si profesionistë të kësaj fushe.


Udhëheqësit e programit dhe mësimdhënësit e këtij programi u shprehën të kënaqur me arritjet e studentëve të gjeneratës së parë, duke theksuar se ata tashmë janë të përgatitur për t’ u përballur me sfidat e reja të cilat do t’ i presin institucionet imazherike shëndetësore brenda dhe jashtë vendit.
Studimet bachelor për teknik të radiologjisë mundësojnë aftësim profesional me qëllim të krijimit të ekspertit të aftë për punë në mjekësi, stomatologji e veterinë, në institucionet publike dhe ato private, si pjesë e shërbimeve të specializuara.


AAB është i vetmi institucion edukativ në rajon e më gjerë që në klasë mësimore për teknik të radiologjisë e ka të instaluar aparatin funksional të rëntgenit të dedikuar vetëm për qëllim të ushtrimit praktik për studentët e tij.

Share: