“Agnus Dei” fiton çmimin special të jurisë në “California Film Awards”

22 Mars 2017

Intervistë me regjisorin Agim Sopi

“Agnus Dei” është fryti i fundit artistik që regjisori nga Kosova, Agim Sopi, ka ofruar në skenën shqiptare kinematografike, duke ofruar një histori që mbahet pezull mes dilemave të mëdha të luftës, paqes, dashurisë së ndaluar dhe ëndrrës për një të ardhme më njerëzore mes popujsh që jetojnë afër njëri-tjetrit e jo vetëm mes shqiptarëve dhe serbëve. “Agnus Dei” sjell rrëfimin mbi fatin e një djali i cili ishte fryt i një dashurie të ndaluar mes një të riu shqiptar dhe një serbeje në kohën e ish Jugosllavisë. Ai pa vullnetin e tij bëhet pjesë e ushtrisë serbe dhe kryen krime të rënda në Kosovë, vendlindjen e babait të tij.

Z. Sopi, sa jeni të kënaqur me suksesin e filmit tuaj “Aguns Dei” në skenën ndërkombëtare të filmit?
Jam shumë i kënaqur, megjithëse filmi nuk ka pasur një ekip profesional i cili do të merrej me promovimin e filmit. Pastaj nuk ka pasur asnjë lloj mbështetje financiare nga ana e institucioneve. Unë kam marr një kredi komerciale për ta promovuar filmin, por mundësitë e mia kanë qenë të limituara. Po të kishim pasur buxhet të mjaftueshëm, sikurse kanë të gjithë filmat seriozë të rajonit, unë jam i bindur se filmi do të kishte arritur dyfishin e sukseseve. Meqenëse në Kosovë është shkruar fare pak për rrugëtimin e filmit ‘Agnus Dei’ nëpër botë, po e shfrytëzoj këtë rast t’ju tregoj se filmi ka qenë pjesë zyrtare e 30 festivaleve ndërkombëtare brenda një viti, që i bie përafërsisht, çdo 10 ditë një festival. Filmi ka qenë i nominuar në 19 kategori për çmime të para nga ana e 11 festivaleve. Dhe ka fituar tetë çmime, ndër të cilat, pesë çmime kryesore të festivaleve të ndryshme. Do të ishte e udhës të qartësohet, se shpenzimet për të kompletuar materialet promovuese, përkthimin e kopjeve, kopjet shfaqëse në formate profesionale, shirit apo digjitale, mesatarisht kanë kushtuar njëmijë euro për secilin festival veç e veç, dhe të gjitha këto para janë paguar nga buxheti familjar, pjesa më e madhe, sikurse e thashë, janë marr kredi. Thjesht, një temp i tillë ka qenë i papërballueshme për një individ. Qoftë nga aspekti financiar, qoftë nga aspekti organizativ-kohor. Ne kemi departament ministror që merret me promovimin e kulturës, të paguar me parat e taksapaguesve kosovarë, por askush nuk e di çka promovon ky lloj institucioni. “Shpikjen e ujit të ngrohtë”, me siguri!

Ky film ka fituar Çmimin Special të Jurisë në “California Film Awards 2013” pas atij, London Film Award 2013, a është shpërblyer gjithë ajo punë qe keni bërë?
Në aspektin e ambicieve artistike, them se po. Sikurse e thashë më lart, ‘Agnus Dei’ nuk ka pasur as ekip profesional për promovim, as mbështetje institucionale, dhe as fonde. Dhe ka arritur të jetë pjesë e shumë festivaleve të rëndësishme të botës duke fituar edhe çmime të para.

Z. Sopi, ju nuk keni arritur të merrni pjesë në disa festivale ndërkombëtare ku është shpërblyer filmi i juaj, ku qëndron problemi?
Kam qenë në Greqi. Edhe në Gjermani. Por nuk kam qenë prezent në Angli dhe në USA. Thjesht, në pamundësi financiare. E dini, vendet tona fqinje, kur filmi i tyre arrin të jetë pjesë zyrtare e ndonjë festivali të rëndësishëm, dërgojnë ekipe të tëra për ta promovuar dhe prezantuar filmin. Dërgojnë madje edhe ekipe televizive. Kurse ne, nuk kemi arritur të dërgojmë qoftë edhe një përfaqësues të vetëm për të marr çmimet e para që i ka fituar filmi ynë. Madje, këtë fenomen të pakuptimtë disa festival e kanë konsideruar si arrogancë, ofendim. Dhe mua më është dashur me letra të gjata të sajoj histori të paqena për t’u arsyetuar. Fatkeqësisht, ky është realiteti. Ne jemi Sui Generis, për shumëçka!

Cila është historia e filmit “Agnus Dei”?
Agnus Dei, është një lloj Edipi i ditëve tona. Petri, një i ri rreth të tridhjetave, bënë një jetë të dëshpëruarish me të ëmën, Maria, dhe burrin e saj, Stojanin, në një fshat në Serbi. Petri, ka lindur në Kosovë nga një ‘dashuri e ndaluar’ mes nënës së tij, Mari, dhe një djaloshi shqiptar, por ai këtë nuk e di. Është koha kur marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve janë armiqësore, pikërisht në prag të luftës. Petri cytet nga e ëma dhe rrethi që të shkojë në luftë. Ai dëshiron të ikë nga lufta për në perëndim, por mobilizohet dhunshëm dhe rekrutohet në një njësit paramilitar në luftën e Kosovës. Në një aksion të përgatitur në shenjë hakmarrjeje, ai vret babanë e vet Dinin, të cilin nuk ka arritur asnjëherë ta njohë. Duke mos mundur të durojë krimet arbitrare në njësitin e tij, Petri dezerton nga ushtria. Ai merr me vete të bijën e Dinit, Marienë dhe ikën në pyll. Në rrugëtimin kur ata ndiqen nga të dy palët e armiqësuara, serbet dhe shqiptarët, Petri dhe Maria bien në dashuri. Ata arrijnë të kthehen në shtëpinë e Petrit, në Serbi. Gjatë raporteve me të ëmën, Petri mëson se ka vrarë babanë e vet biologjik dhe se është dashuruar në motrën e vet. Duke mos mundur ta përballojë dramën e papritur të jetës së vet, ai ia merr vetes jetën.
Ku është xhiruar filmi?
Filmi është xhiruar nëpër Kosovë. Një pjesë e madhe është xhiruar në qytezën e Janjevës. Pastaj një pjesë në Zveçan. Një pjesë e madhe në Kastriot. Një pjesë në Bardhosh. Një pjesë në fshatin Krilevë, e kështu me radhë. Ka pasur më shumë se pesëdhjetë lokacione.

A keni pasur vështirësi në gjetjen e sponzorëve, pasi që vetëm gjysma e shpenzimeve të këtij filmi është mbuluar përmes Qendrës Kinematografike të Kosovës?
“Agnus Dei” nuk ka pasur asnjë sponsor. Nuk ka marrë as edhe një qindarkë të vetme nga bizneset apo institucionet e tjera të Kosovës. I gjithë buxheti ka qenë i përmbyllur nga shuma prej 310.000 eurosh, të cilat i ka dhënë Qendra për Kinematografi e Kosovës dhe rreth 300.000 euro, para private, të investuara nga ana e AS Film Production.


Filmi juaj ka fituar shumë çmime ndërkombëtare, i sati çmim me radhë është ky i fundit për filmin tuaj, që bën fjalë për luftën në Kosovë?
Janë gjithsejtë tetë çmime, nga të cilat pesë çmime të para.
Audience Award – Prishtina, International Film Festival – Prishtina ,Tetor. 2012,
Gold Prestige Award –The Prestige, Film Festival – Eureka, California, Maj 2013,
Honorable Mention Award – The international Film Award Berlin /Korrik 2013/
Best Feature Film – Cannes van d’Or – European Film Festival – London, /Shtator. 2013/
Best Feature Film – Ionian International Film Festival – Lefkas, /Tetor. 2013/
Best Film in Festival – London Crystal Palace International Film Festival /Nëntor. 2013/
Best Foreign Film – London Film Awards 2013 – London, UK /Dhjetor. 2013/
Grand Special Jury Prize – California Film Awards 2013 – San Diego, USA /Dhjetor. 2013/

“Agnus Dei” nga ka lindur ideja për këtë?
Ideja për filmin ka lind nga një artikull gazete i botuar menjëherë pas lufte. Ishte një rrëfim i një ushtari serb i cili kishte dashur të ikte nga lufta, por ishte mobilizuar dhunshëm në një njësit famëkeq paramilitar. Dhe kur ishte gjetur në vorbullën e luftës, krejt çka kishte arritur të bëjë, kishte vrarë babën e vet biologjik të cilin nuk kishte arritur ta njohë asnjëherë. Ky lloj Edipi, i rishfaqur mbas 2.500 vjetësh në realitetin kosovar, më rrëmbeu dhe më cyti ta shkruaj skenarin për filmin ‘Agnus Dei’. Thjesht, ishte një histori fantastike e prodhuar nga jeta.

Filmi i juaj ka kaluar nëpër një konkurrencë të fortë ku kanë marrë pjesë filmbërës nga 70 vende të ndryshme të botës, a keni pasur vështirësi për të depërtuar në këto festivale?
Nga tridhjetë festivale në të cilat ‘Agnus Dei’ ka marrë pjesë, më shumë se 15 prej tyre kanë pasur në konkurrencë më shumë se 2.000 filma, e disa kanë pasur madje 7.000 India International Film Festival, 6.000 London Film Award, mbi 4.000 Cinequest Film Festival dhe London Crystal Palace International Film Festival, e kështu me radhë. Pra, në të shumtën e rasteve, konkurrenca ka qenë tepër e madhe. Në disa festivale, fati ka qenë në anën e filmit ‘Agnus Dei’, në disa të tjera me siguri ka ndikuar edhe biografia e filmit, festivalet paraprake dhe çmimet.

Na flisni për zgjedhjen e aktorëve, patët të vështirë të gjenit aktorë për të luajtur në këtë film?
Po. Sikurse ua thash më herët, skenari për këtë film është shkruar në vitin 2.000. Më është dashur të pres 12 vjet derisa e kam njohur z. Astrit Alihajdaraj, aktorin kryesor, për të cilin kam besuar se është protagonisti i duhur për filmin tim. Kam pasur problem edhe me zgjedhjen e Marisë, vajzës. Por edhe me përzgjedhjen e rolit të nënës, Mari, meqë ajo është dashur të jetë serbe. Kam pasur shumë kontakte me disa aktore serbe, që të gjithave, pa përjashtim u ka pëlqyer historia dhe në veçanti roli, por kur ka ardhur koha që bisedat t’i shndërrojmë në kontratë pune, të gjitha kanë gjetur ndonjë arsye për t’u tërhequr. Dhe si përfundim, kam angazhuar aktoren malazeze Zhaklina Oshtir. Për rolet e tjera, nuk kam pasur probleme, sepse kam përzgjedhur aktorët që unë i njohë dhe me të cilët kam bashkëpunuar edhe më herët.

Gjatë xhirimeve apo provave ju ndodhin shumë gjera, a mund të na veçoni një ndër momentet më interesante që ju ka ndodh në këtë film?
Pothuajse në çdo film timin, kanë ndodhur gjëra të papritura,shpeshherë trishtuese por edhe shumë qesharake. Për çudi, ky është filmi i parë në të cilin nuk ka ndodhur asgjë e pazakontë.

Çfarë projektesh keni për të ardhmen?
Është një tregim dashurie që ndodh gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është një histori e gjyshit tim. Një rrëfim krejt personal dhe më i dashuri për mua.

Vepra të tjera artistike të regjisorit Agim Sopit janë edhe këto: Pritja,1981 – film dokumentar, Pelerina, 1982 – film artistik, Njeriu prej dheu,1984 – film artistik, Lulepjeshkat e dashurisë,1988 – dramë televizive, Kulla, 1990 – dramë televizive, Përtej vdekjes,1999 – film dokumentar, Vjeshta e trëndafilave, 2000 – film artistik, Anatema, 2006 – film artistik dhe Agnus Dei, 2013-film artistik.

Intervistoi: Asllan Gjoka

 

Share: