Braktisi fëmijërinë për sigurimin e bukës

23 Mars 2017

Gjendja e rëndë ekonomike e shumë familjeve kosovare ka bërë që edhe fëmijët, të lënë shkollën dhe të gjejnë mënyrën për të mbijetuar. Rrugëve të Prishtinës hasim orë e çast adoleshentë të të dy gjinive që merren me shitjen e gjësendeve të imta në përpjekje për të ndihmuar familjet e tyre që të sigurojnë bukën e gojës. Shkolla dhe argëtimi ndonjëherë mund të duken si përralla të bukura, që tregohen netëve të ftohta pranë zjarrit gjysmë të fikur, të shumë familjeve kosovare.

Mëngjes i ftohtë dhjetori. Një shtresë e hollë dëbore ka mbuluar kryeqytetin dhe sikur lajmëron se dimri po vjen shpejt, andaj duhet të jemi të përgatitur. Me mjekrën e futur në jakat e nxehta të palltove, e me supet e kërrusura dhe duar në xhepa, qytetarët vrapojnë të nisin punën e tyre.
Vajza të reja me gërshetat futur nën kapela e xhupa mbërthyer, ikin duke qeshur drejt shkollave ku nuk dihet nëse do ketë ngrohje apo mësimi mund të përfundojë pa filluar fare. Uniformat shkollore kanë mbetur vetëm minifundet e vëna mbi pantallona që duken më shumë si pjesë tepricë e gardërobës së kohës. Ndonjëra nxjerr telefonin e mençur, për t’ia treguar shoqeve, postimet e fundit në rrjetet sociale të fotove të bëra një natë më parë diku në diskotekat e kryeqytetit.
Tek sa kalojnë indiferente sheshit Zahir Pajaziti, një bashkëmoshatar i tyre i sheh me zili dhe përzien gështenjat që po piqen duke nxjerrë avull. Ardian Maliqi është vetëm 18 vjeç dhe ndjekë mësimet me korrespodencë në shkollën e ekonomike në Prishtinë. E ndërkohë që shokët e tij të lagjes e qytetit shijojnë vitet më të bukura të jetës, Ardiani nisë herët në mëngjes punën për të siguruar bukën për familje. Një biznes familjar i nisur 35 vjet më parë nga i ati e që në pamundësi për të bërë diçka më shumë, është ndjekur edhe nga bijtë e tij. E pyesim për të ardhurat që sjellë kjo punë dhe na përgjigjet me modesti: “është punë sezonale, tre muaj jo më shumë. Vetëm për kaq kemi leje pune por e kemi burimin e vetëm të të ardhurave. Sa për të mos hequr keq, për të mos iu bërë barrë askujt” thotë Adriani dhe falënderon Zotin për shëndetin dhe të mirat tjera në jetë.
Një djalë i çiltër e i këndshëm në bisedë që duket indiferent ndaj botës që e rrethon me përjashtim të rasteve kur dikush kërkon të ia mbështjellë në letër gështenjat e sapo pjekura.
Sidoqoftë ai tregohet shumë i vëmendshëm në rastet kur pranë “vendit të tij të punës”kalon ndonjë i varfër që kërkon lëmoshë të cilit ia mbush grushtet me gështenja pa i kërkuar paratë. E shikoj me admirim këtë gjest të tij bujar dhe vë buzën në gaz. “fukaraja ia di hallin fukarasë” më thotë pasi vëren se më kishte tërhequr vëmendjen veprimi i tij solidar.
Nuk i them asgjë. Vetëm e shikoj dhe ndjej keqardhje dhe admirim në të njëjtën kohë. Do duhej të ishte në shkollë, me shokët e shoqet, do duhej të jetonte rininë e tij disi më ndryshe, me më pak halle e brenga të jetës. Ndërsa Ardiani jo vetëm që është djalë punëtor, por e ka zemrën e madhe e shpirtin e dëlirë. Nuk ankohet as për punën, as për kushtet e jetës, as për rininë që i ikën pa e shijuar.
E derisa jashtë fryn erë e ftohtë dhe temperatura shënon nën zero, Ardiani ndihet komod në kioskën e tij, pranë zjarrit të ndezur. Me duart e tij të shkathëta përzien gështenjat e i mbush me to fitilat prej letre, ndërkohë që komunikon shumë mirë edhe në gjuhën angleze me blerës të huajë e që nuk janë të paktë. Vazhdoj ta shoqëroj edhe më tutje dhe e pyes nëse ka shumë që vijnë për të blerë gështenjat e tij. “ kanë nga ata që janë blerës të rregullt” më thotë dhe shpjegon se në punë i ndihmon edhe i vëllai Arianiti.
Ai na tregon se kioska e tyre nuk është e vetmja në këtë shesh. Janë edhe pesë të tjera dhe kanë leje pune vetëm për tre muaj ndërsa fundjava u sjellë më shumë fitim. Na bën përshtypje fakti se të gjitha kioskat kanë ngjyrë të kuqe dhe mendojmë se kjo mund të ishte e përcaktuar edhe në ndonjë nga rregulloret e punës. Por Ardiani na shpjegon se e kuqja është për shkak të dallimit nga larg dhe tërheqjes së blerësve.
Për menaxhimin sa më mirë të punës, të dy vëllezërit kujdesen maksimalisht. Me sjelljet e tyre të mira ata kanë bërë për vete shumë blerës të cilët vijnë për herë në të njëjtin vend për të blerë gështenja, fara, apo ndonjë nga biskotat që mund t’i gjesh te vëllezërit Maliqi.
“Për gështenja, nuk i ndërroj me askënd” na thotë një polic që merr shpejt e shpejt një fitil dhe ikën me vrap.
Një djalosh tjetër i moshës adoleshente afrohet dhe na pyet nëse dëshirojmë të blejmë qamqakëzat e tij. Unë marr një pako me orbit ndërsa Ardiani e pyet nëse ka cigare. “po po kam” ia kthen djaloshi dhe nxjerr nga xhupi i tij një pako.
E di, e kuptoj arsyen por megjithatë e pyes: “pse i ke fshehur cigaret”?
“Jam i vogël dhe nuk lejohet t’i shes” më thotë, dhe i ngrohë pranë zjarrit duart e tij të skuqura nga të ftohtit.
Fytyra e Adrianit është akoma e njomë e buza sikur i nxjerrë qumësht por cigaren duket se e pi prej kohësh. Mbase puna e tij, shitja në rrugë në moshë të vogël e bëri atë që ta fillojë edhe pirjen e duhanit pa vetëdijen se po dëmton rëndë shëndetin e tij të njomë.
“kikirikë, kikirikë, blini kikirikë” thërret një djalosh tjetër dhe afrohet për të pyetur nëse do blejmë kikirikët e tij por që duket qartë se ka më shumë për qëllim të ngrohet pranë zjarrit.
E dhimbshme. Një rini që po rritet rrugëve në përpjekje për të mbijetuar.
Secili ka hallet e tij, vuajtjet e tij. Secili është botë në vete. Dikush me prindër të varfër e pa kulm mbi kokë e ca të tjerë të mbetur edhe bonjakë. Ca gojë presin në shtëpi për të ngrënë. Dikush që i pret me padurim fitimet e ditës, sa për të plotësuar një nevojë tjetër, sa për ta shtyrë një ditë më shumë, në luftën për ekzistencë.
Shkolla e argëtimi, ndonjëherë duken si përralla të bukura netëve të ftohta pranë zjarrit gjysmë të fikur ku rriten shumë fëmijë të Kosovës.
Luaras Uka

Share: