Colloquium – vetiniciativë studentësh

22 Mars 2017

Editorial

Revistën që e keni në duar, është produkt profesional i studentëve të Gazetarisë të vitit të dytë të Universitetit AAB. Janë punë individuale të studentëve të cilat i kanë realizuar brenda njërës nga detyrat që kanë pasur në një nga modulet e ndjekura. Ishte dëshirë e studentëve që punët e tyre të publikohen, pas shumë punëve të tjera gjithashtu të publikuara në agjencinë KNN; punëve të kryera në studion e televizionin ART të AAB-së, punëve praktike në Radio, në Sallën e Montazhit etj., të cilat media funksionojnë brenda Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe të Gazetarisë në Universitetin AAB.
Kësaj radhe kjo revistë studentore përmban vetëm intervista, pa politikë. Arsyet për këtë janë të shumta. Para së gjithash, vetë studentët kanë injoruar intervistën politike. Ndoshta për faktin se ajo dominon në mediat e shtetit të ri të Kosovës; ndoshta se politika ka depërtuar edhe në kapilarët e shoqërisë. Injorimi i intervistës politike është një shenjë antikonformizmi e studentëve të gazetarisë. Ka një sërë sferash të tjera të shoqërisë që duhen trajtuar. Disa nga këto, si: problemet e të rinjve, vështirësitë, çështjet sociale, shëndetësore, të arriturat dhe sukseset e individëve të dalluar, argëtimi, sporti, etj., janë trajtuar përmes këtyre intervistave.
Një arsye tjetër është se intervista haset thuajse në të gjitha grup-zhanret e gazetarisë: informuese, komentuese-analitike dhe publicistiko-letrare. Realizimi i intervistës kërkon një sërë parapërgatitjesh të studentit-gazetarit, duke u nisur që nga njohja e problemit që e trajton, të dijë gjithçka për të intervistuarin, të hartojë pyetjet për çështjet që do t’i trajtojë, të ndjekë me vëmendje rrjedhën e intervistës, të ndërhyjë atëherë dhe atje ku duhet, e deri te faqosja dhe puna teknike e përgatitjes së revistës.
Arsye tjetër se përse kjo revistë ka vetëm intervista, është se ky ka qenë edhe parapëlqim i vetë studentëve, duke pasur parasysh dilemat e shumta që ngritin mendimet e tyre kritike dhe që kërkojnë një përgjigjeje për lëmshet enigmatike në këtë shoqëri tranzicioni.
Njëherësh, kjo punë e nisur dhe bitisur nga studentët, tregon për shpirtin vetiniciativ të të rinjve dhe të rejave studentë, të cilët janë në rrugëtimin e tyre profesional të gazetarit, për të qenë mbrojtës të vlerave dhe kontrollues të përditshëm të demokracisë.

Share: