Duhen investime që “Shota” ta rikthejë famën

22 Mars 2017

Intervistë me Shefqet Gjocaj

Shefqet Gjocaj ka mbaruar për arkitekturë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa më pas përfundon edhe nivelin bachelor dhe master në Fakultetin e Arteve në Degën e Dramaturgjisë. Për disa vite ka qenë mësimdhënës në disa shkolla të mesme të Istogut dhe Mitrovicës dhe anëtar i disa shoqërive kulturore artistike si ajo e “Bajram Currit” në Prishtinë dhe Ansambli Akademik “Ramiz Sadiku”. Është marrë edhe me teatër dhe ka themeluar teatrin e qytetit, “Aleksandër Moisiu”, të Mitrovicës si dhe Shoqatën Kulturore Letrare Artistike “Burimi” në Istog, që ka pasur seksionin e këngëve, valleve, grupin letrar si dhe teatrin “Bini”. Më pas ka punuar edhe si gazetar për “Kohën ditore” dhe Televizion Shqiptar. Pas luftës ka punuar në disa projekte të rindërtimit në Kosovë si arkitekt me disa organizata vendore dhe të huaja.

Keni marrë postin e të parit të “Shotës”pikërisht në 50 vjetorin e themelimit të saj, cilat janë planet dhe projektet tuaja për këtë vit jubilar?
Po, ne kemi bërë një draft-plan të veprimit të cilin ia kemi dorëzuar Ministrisë së Kulturës përmes bordit të ansamblit. Ideja ime është që t’ia përshtati sa më mirë këtë plan “Shotës”dhe në mënyrë sa më dinjitoze të kremtohet 50 vjetori i ekzistencës së ansamblit si ansambël profesionist, sepse “Shota”është themeluar edhe më herët në vitin 1948, por për 15 vite ka funksionuar si ansambël amator dhe tek në mars të vitit 1964 ka fituar statusin e ansamblit profesionist. Ky përvjetor është mjaft i rëndësishëm por edhe sfidë e madhe për ne si menaxhment i ri(e them për ne sepse këtu bashkë me mua është pranuar edhe udhëheqësi artistik i ansamblit që për herë të parë pranohet me konkurs, z.Ylber Asllanaj). Për fatin tonë të mirë brenda ansamblit është edhe ish udhëheqësi apo ish ushtruesi i detyrës së drejtorit të Ansamblit z.Ismet Bogujevci, i cili do të na ndihmojë në ndërtimin e strategjisë për realizimin e këtij plani. Unë kam bërë kërkesën për hapjen e një konkursi të hapur publik për brand logo ose logon prezantuese të 50 vjetorit të ansamblit, studiot kreative do të konkurrojnë në të dhe do të bëhet përzgjedhja më mirë nga komisioni që do të ngritët për këtë çështje. Kjo do të jetë logo identifikuese e këtij 50 vjetori, pastaj do të jetë në ballinën e një monografie që ne planifikojmë ta përgatisim,do të jetë gjithashtu e shtypur qoftë nëpër pllaketa, mirënjohje, diploma etj…, të cilat do t’iu shpërndahen të gjithë atyre njerëzve që me vite kanë dhënë kontributin e tyre në këtë ansambël si: Nexhmije Pagarusha, Selvete Terstena, Fahri Beqiri, Xhemali Berisha etj….Ky 50 vjetor pretendon të kulmojë diku në javën e fundit të majit apo në fillim të qershorit dhe do të jepet një koncert festiv premierë, i cili do të përfshijë laramani të këngëve dhe valleve të cilat janë luajtur me vite nga Shota. Ky koncert i madh do të mbahet pas një akademie solemne, e cila organizohet në nderë të 50 vjetorit të ansamblit dhe do të shpërndahen mirënjohje dhe diploma njerëzve meritorë. Pastaj ky koncert do të shfaqet edhe nëpër të gjitha qytetet e Kosovës dhe ideja ime është që të filloj me 10 qershor në Prizren, me ç’rast do të nderohet njëkohësisht edhe përvjetori mjaft i rëndësishëm i “Lidhjes së Shqiptarëve të Prizrenit”e më pastaj do të vazhdojë nëpër gjithë Kosovën, Maqedoni dhe Preshevë.

Do të ishte interesant të dimë për buxhetin e ansamblit, a i plotëson ai kërkesat e juaja?
Ne si menaxhment i ri këtu e kemi gjetur të gatshëm planifikim buxhetin, de fakto planifikim buxheti është bërë në fund të vitit të kaluar. Unë e kam parë atë buxhet dhe në prioritetet e mia e kam cekë që ka nevojë të rishikohet ai për arsye se nuk i përmbushë kërkesat e ansamblit. Deri me tani ka qenë 120 000 euro, por kemi premtimin e ministrit Krasniqi që ky buxhet do të rritet për 20 000 euro, që konsideroj që prapëseprapë nuk është i kënaqshëm. Por unë personalisht kam kërkuar nga ministria që të na përkrahë në biseda me donatorë, sepse unë nuk do të qëndroj në zyrë dhe të pres se si t’i shpenzoj ato para të ndara nga ministria, por qysh nga fundi i këtij muaji do të tentoj t’i kontaktoj të gjithë donatorët potencialë në të cilët unë llogaris që mund ta mbështesim të paktën projektin e themelimit te 50 vjetorit të “Shotës”.

Duke qenë vetë njeri i artit, a do t’i avanconi artistët e këtij ansambli dhe si?
Absolutisht! Unë u rrëqetha prej kësaj pyetje sepse avancimi i këtyre punëtorëve është një ndër prioritetet e mia kryesore!.Unë fola kryesisht për agjendën time deri në qershor, për arsye se ky 50 vjetor nuk na lë shumë hapësirë dhe komplet 6 mujori i parë është i fokusuar në të, por pjesa e dytë e vitit ka të bëjë me disa çështje që unë konsideroj që janë ende pezull dhe që duhet të përfshihen në statutin e Ansamblit si p.sh: duhet rishikuar kontratat e punëtorëve, niveli i pagave të tyre, pastaj krijimi i komisioneve të caktuara e të tjera. Unë do të insistoj që disa gjëra të ndryshohen duke marrë parasysh që shumicën e kompetencave për Ansamblin “Shota”i ka Ministria e Kulturës, e që për mua kjo është gabim. Po ashtu do të insistoj që të bëhet edhe amendamentimi i ligjit sepse ai ligj është një bazë e mirë por ka hapësira të cilat duhet të përmirësohen, e në radhë të parë kur ka të bëjë me pozitën e artistëve në ansambël. Si pikë e parë pagat e artistëve nuk janë aspak të dinjitetshme, ato janë pak më shumë se një ndihmë sociale. Unë kam mbajtur takim edhe me anëtarët e sindikatës së “Shotës”të cilët kërkojnë rritje të pagave dhe unë e kuptoj plotësisht shqetësimin e tyre, unë do të shfrytëzoj të gjitha mundësitë e mia duke bërë presion tek ministria për realizimin e kërkesave të tyre. Realisht ne kemi marrë një premtim nga ministri Krasniqi për ngritjen e pagave për të gjitha institucionet kulturore që pritet të bëhet nga muaji mars por se sa do të jenë ato, cilat janë diferencat dhe normat nuk e di, por ne do të presim.

Ansambli “Shota”tanimë posedon edhe ligjin e vet. Sa është i përshtatshëm ky ligj për artistët?
Ky ligj nuk është as më i miri as më i keqi që ka nxjerrë Parlamenti i Kosovës d.m.th. për nga cilësia është diku kah mesi edhe pse unë brenda për brenda tij kam hasur në disa gjëra që më janë dukur anomali, ndoshta edhe nuk janë ashtu sepse unë nuk jam ekspert i fushës juridike por pikërisht te tretmani i artistëve ka disa neglizhenca, sepse është mjaft vështir t’i krahasosh artistët me nivelin administrativ ose të punëtorëve civilë. Artistët janë të veçantë për punën që e bëjnë, andaj edhe ligji për ta duhet të jetë i veçantë. Ne do të nxjerrim një status të ansamblit që buron nga ligji, pra që harmonizohet me ligjin, por ligji mund edhe të amendamentohet. Diku rreth muajit tetor-nëntor do të fillojmë bisedimet me Zyrën Ligjore të Ministrisë dhe me ekspertë të tjerë për të filluar procedurën e amendamentimit të ligjit, pikërisht në ato vende ku ne konsiderojmë që ka zbrazëtira ose vend për përmirësim.
Intervistoi: Amire Grajçevci

Share: