Faktori ekonomik ndikon në inkurajimin e partnerëve të divorcohen, sidomos grave. Pjesa më e madhe e meshkujve ende janë të ndikuar nga traditat.
Serialet mund ta prishin një martesë jo stabile, por jo një martesë të shëndoshë. Sociologu Anton Berishaj flet për revistën e Universitetit AAB.
Numri i divorceve është në rritje. Çfarë treguesi është ky për shoqërinë tonë?
Për të qenë e bazuar pyetja juaj, duhet pasur të dhëna që e verifikojnë trendin e rritjes. Megjithatë, ka tregues që dukurisë i përshkruajnë rritje, madje edhe krizë. Rritja eventuale e numrit të divorceve është tregues i shthurjes së stilit tradicional të jetës, mentalitetit kanunor dhe ndryshimeve të cilat reflektojnë në statusin e gruas në martesë, familje dhe shoqëri.
Çka ndikon në numrin e madh të divorceve, a janë kushtet ekonomike?
Faktori ekonomik është njëri ndër faktorët që ndikon në inkurajimin e partnerëve (sidomos grave) për divorc. Megjithatë, Kosova nuk mund të lavdërohet me ndonjë rritje ekonomike inkurajuese për të marrë vendime të ndërprerjes së jetës në martesë. Faktorët veprojnë dhe funksionojnë së bashku: punësimi, shkapërderdhja e familjes së madhe, lëvizjet e mëdha të popullsisë (migrime të brendshme dhe të jashtme), teknologjia e komunikimit, kontaktet me botën, arsimimi – sidomos. Pra, fjala është për dobësimin e faktorëve tradicionalë të cilët e kanë ruajtur martesën (zakonisht me subordinimin e gruas nga burri), por edhe vetëdijesimi i saj se jeta ka kuptim edhe jashtë ndonjë martese të keqe.
Gratë apo burrat e kanë pjesën më të madhe të fajit?
Nuk kisha kërkuar fajtorë këtu. Martesa është një institucion që krijohet në bazë të vullnetit të mirë dhe pëlqimit reciprok. Pra jo me dhunë dhe me hatër. Nëse nuk funksionon, ajo dështon, apo shkëputet dhe kjo është shumë normale. Pra, nuk ka fajtorë por ka të pakënaqur të cilët reagojnë sipas botëkuptimit të shëndoshë. Më e mirë është një zgjidhje e martesës (divorc) me marrëveshje, sesa një martesë e keqe ku mungon marrëveshja e partnerëve.
Flitet shumë për serialet dhe ndikimin e tyre në jetët bashkëshortore. A janë të vërteta ato që thuhet se serialet po ndikojnë në ndarjen e çifteve?
Më lart iu referova teknologjisë së komunikimit – e aty hynë edhe interneti, sidomos facebook-u, telefonia mobile, serialet etj. Nuk besoj se dikë që ka martesë stabile munde të ndikojë e prishur seriali apo interneti. Vetëm martesat e brishta rrezikohen nga faktorët trivialë, të jashtëm.
Teknologjia sot ka ndikim të madh në jetët e njerëzve, sa ndikon në jetën e çifteve?
Teknologjia modern e komunikimit ka ofruar favore, përparësi të mëdha, komunikim të lehtë dhe të shpejtë, afërsi kontakti. Në anën tjetër, varet se në çfarë mënyre shfrytëzohet kjo. Nëse insistohet të vihet në shërbim të kontrollit mbi partnerin, ndjekje, vrarje të privatësisë etj., mund të jetë e dëmshme. Mirëpo, mendoj se në martesë të shëndoshë, këta faktorë nuk kanë ndikim të dëmshëm nëse ekziston dashuria, respekti i ndërsjellë dhe kontakti konstruktiv.
A ndodh rëndom që në shoqëritë në tranzicion të jenë divorcet kaq në numër të madh?
Divorcet janë refleksion i krizave shoqërore – jo vetëm të karakterit ekonomik, por edhe moral. Ne e kemi shembullin e Japonisë, p.sh: ata kanë një teknologji shumë të avancuar, por divorcet janë simbolike. Atje, ka ndodhur një kombinim i çuditshëm i traditës konservative dhe teknologjisë moderne. Megjithatë, zakonisht, tranzicionet i trandin sistemet e vlerave, normat rigjide dhe botëkuptimet e vjetruara që gruan e mbanin nën presion.
Që nga pas lufta, femra kosovare mund të konsiderohet se është më e emancipuar. Çfarë ndikimi mund të ketë kjo në jetën e çifteve?
Mendoj se kjo do të duhej të kuptohet si rrethanë e favorshme që të kemi shoqëri më të shëndoshë: nënë, grua, edukatore të fëmijëve, punëtore të sektorit publik ose shoqëror. Do të duhej të kuptohej si diçka e mirë, shpresëdhënëse e jo si rrezik. Nga kjo frikësohen vetëm ata që janë mësuar që gruaja të jetë shërbëtore e burrit, vjehërrve dhe fëmijëve.
A janë meshkujt në Kosovë ende të ndikuar nga traditat?
Po mendoj se përqindja me e madhe e meshkujve janë ende tradicionalë. Kjo është e kuptueshme, pasi që janë edukuar në familje tradicionale ku burri ka fjalën kryesore, është absolute në pushtetin familjar. Sipas G. Tardit, ne mësojmë me imitim (identifikim me modelet e të rriturve), në këtë rast të babait. Arsye tjetër është se burrave u konvenon të vazhdojnë të jenë ata që e bëjnë skenën shoqërore, të kenë dikë në shërbim, e kjo ishte gruaja.
A ka pësuar evoluim shoqëria jonë për sa i përket zhvillimeve shoqërore dhe bashkëjetesës me familje?
Po, mendoj se bashkëjetesa para fejesës dhe martesës është dëshmi se kemi ecur në drejtim të relaksimit të raporteve të partnerëve.
Si i vlerësoni metodat e reja të lidhjeve të çifteve. Më herët ka qenë fejesa dhe martesa. Tash është njoftimi me familje, bashkëjetesa, fejesa dhe në fund fare martesa, që shpesh mund të dështojë?
Mendoj se gjërat kanë evoluar në drejtim të trendit modern të krijimit të kontaktit: pëlqim, kontakt fizik apo përmes teknologjisë, mandej ndonjë kohë së bashku, ndoshta edhe bashkëjetesë e mandej martesë. Ne, në të vërtetë po ecim rrugës që ka ecur bota para nesh. Nuk ka nevojë të zbulojmë “ujin e nxehtë”, por vetëm të shohim se çka është më e mirë për bashkë jetesë me një partner/e, për krijimin e familjes dhe rritjen e fëmijëve. Martesa është një ngjarje tepër e rëndësishme në jetën e njeriut që të shkohet dëm lehtë. Nuk besoj se dikush pa asnjë nevojë kërkon divorc.
Intervistoi: Rina Gashi