Edhe qeveria e harron “Mirushën”

23 Mars 2017

Vera e vitit 2015 duket të ngjasojë me verat e kaluara për qytetarët e Gjilanit, të cilët do të “përballen” edhe këtë vit me erën e pakëndshme që lirohet nga shtrati i lumit Mirusha. Projekti i nisur në vitin 2013 po hynë në vitin e tij të dytë, por ende nuk është finalizuar.

Qytetarët e Gjilanit tani e disa vite ankohen për erën kundërmuese në qytetin e tyre. Lumi Mirusha i cili kalon nëpërmes qytetit, kryesisht gjatë stinës së verës lëshon erë të rëndë për shkak që në këtë lum derdhen ujërat e zeza. Projekti i nisur në vitin 2013 në vitin e parë të punimeve pati dinamikë të shpejtë, por me ndërrimin e pushtetit lokal projekti nuk vazhdoi të realizohet. Zgjedhjet lokale dhe ardhja në krye e Lutfi Hazirit nga LDK-ja bënë që punimet të ndalen e më pas të ri-vazhdohen në vitin 2014. U premtua se finalizimi i projektit do të arrihet gjatë muajve të fundit të vitit 2014 por punimet nuk u vazhduan.
Gjatë kohës që punimet zhvilloheshin, projekti ka arritur në gjysmë të tij, duke u realizuar 2 km gjatësi të kanalizimit nga 4 km sa i ka i gjithë projekti. Kryesisht projekti është finalizuar në zonat jashtë qendrës së qytetit, ku është rregulluar shtrati i lumit dhe kanalizimi. Përskaj shtratit të lumit, projekti parasheh krijimin e shëtitores për qytetarët e Gjilanit, për shfrytëzim rekreativ. Sipas të dhënave nga Kuvendi Komunal, projekti për Lumin Mirusha kap shifrën e 5 milionë eurove, shumë e ndarë nga Qeveria e Kosovës, kurse mjetet për shpronësime i ka bartur Komuna e Gjilanit. Edhe pse gjysma e projektit është kryer nga qeverisja e kaluar, punët kanë mbetur pezull pasi siç bëhet e ditur nga Riad Rashiti, këshilltar i kuvendit komunal nga radhët e PDK-së, Qeveria e Kosovës në buxhetin e saj për vitin 2015 parasheh ndarjen e një shume prej 150 mijë eurove, gjë që e pamundëson vazhdimin e realizimit të projektit.
Por këtë problem po e vuajnë më së shumti qytetarët e Gjilanit. Shefki Murseli, qytetar i zonës përreth lumit Mirusha, thotë se era e pakëndshme që lirohet sa herë të ketë vërshime e kryesisht edhe gjatë stinës së verës, bën që qytetarët të mos kenë mundësi të hapin as dritaret për ajrosje. “Ne nuk kemi mundësi as me i hapë dritaret gjatë verës për ajrosje, pasi që era që hyn nuk të lë as mu ajros e le me thith ajër të pastër. Deri në vitin 2014 punimet kanë ecur mire por tani projekti ka mbetur në gjysmë dhe askush nuk e di se kur do të përfundojë”, tha Murseli.


Projekti ka mbetur i pa-finalizuar në segmentet nga rruga Jugore deri tek Hoteli Kristal që është në qendër të qytetit, dhe nga Hoteli Kristal deri te furra Aroma. Pezullimi i punës në këtë projekt nënkupton se qytetarët e Gjilanit edhe verën e vitit 2015-të do ta kalojnë me erën e pakëndshme që tani e kohë më parë është ndër kërkesat kryesore që qytetarët kërkojnë nga udhëheqësit që të eliminohet.

Granit Zeka dhe Gentrit Avdiu

Share: