Editorial

7 Dhjetor 2016

Ky numër i ri revistës Thesis, me ISSN dhe Bord Ndërkombëtar i Kolegjit AAB, përmban punime nga fusha të ndryshme studimore, si:  arsim, arkitekturë, marrëdhënie ndërkombëtare etj.

Revista hapet me punimin e autorit Xhavit Rexhaj, “Qasje dhe strategji konstruktiviste për përmirësimin e shkathtësisë gjuhësore të të dëgjuarit”, në të cilin autori trajton ndërlidhjen e aktiviteteve për zhvillimin e shkathtësisë gjuhësore në lëndën e gjuhës angleze. Punimi sjell disa nga rezultatet e një hulumtimi shumë më të gjerë, i realizuar në 30 shkolla të Kosovës. 

Në vazhdim, autorja Arta Jonuzi – Cana sjell një punim nga arkitektura tradicionale me bazë të drurit, si një trashëgimi e çmuar e Kosovës. Punimi trajton tipologjitë e objekteve nga aspekti i sistemeve të ndërtimit tradicional dhe nga aspekti i strukturave bashkëkohore, duke i interpretuar vlerat arkitektonike.

Më pas, autorët Blerta Prevalla dhe Altin Shala, sjellin punimin që ka të bëjë me rëndësinë e kuptueshmërisë së të folurit në gjuhën shqipe gjatë përdorimit të aplikacioneve multimediale, Skype dhe Viber, si dhe, domosdoshmërinë e konsolidimit të kësaj kuptueshmërie.

Nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare vijnë në këtë numër  dy punime, me autorë: Mentor Lecaj dhe Mersel Bilali. I pari trajton ndikimin e programeve nukleare të Koresë së Veriut dhe Iranit ndaj strategjive të shteteve më të fuqishme në botë. Autori tjetër, Bilali, sjell një vështrim mbi mundësinë e ndikimit të Shqipërisë në ndërtimin e gazsjellësit TAP dhe modalitetet e përfitimit të Kosovës nga ky projekt.

Revista mbyllët me një trajtim epistemologjik të autori Hajdin Abazi, i cili merret me një parashtrim përmes shqyrtimit të pikëpamjeve të Gorgiasit në optikën filozofike të Sokratit.

Masar Stavileci,
kryeredaktor

Share: