Emigrimi masiv i të rinjve

23 Mars 2017

Lipjani po braktiset 

Shtatë vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës gjendja ekonomike vlerësohet e rëndë, me nivel të lartë të papunësisë dhe varfërisë. Janë këto arsyet pse shumë qytetarë e kanë braktisur Kosovën në muajt e fundit, duke kërkuar kështu një jetë më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian. Komuna e Lipjanit është njëra nga komunat e cila po braktiset nga qytetarët e saj. Gjatë një vëzhgimi të gazetës sonë, vendi i takimit i të rinjve që e braktisin vendin e tyre është oborri i Kishës Ortodokse në qytetin e Lipjanit. Çdo mbrëmje rreth orës 24:00 aty mblidhen rreth 40 persona, të cilët hipin në autobusë apo automjete të vogla dhe marrin rrugën drejt Serbisë për të vazhduar më pas në vendet që kanë për destinacion . Nga fshati Topliqan i Ri i Komunës së Lipjanit vetëm në një natë 32 të rinj morën rrugën e migrimit pa e ditur se çka i pret më tej. Shumica nga ta e kalojnë kufirin, e një numër të vogël në disa raste i kthejnë, por ata që i kthejnë prapë po ja mësyjnë asaj rruge.
Qendrim Rrustemi, banor I fshatit Topliqan të Komunës së Lipjanit, tregon se si vëllai i tij Besniku u detyrua ta linte shkollën në gjysmë dhe të shkojë jashtë vendit për të punuar në mënyrë që të mund të mbajë familjen financiarisht. Rrustemi tha se kriza e madhe ekonomike dhe papunësia në Kosovë kanë qenë faktorët kryesorë pse vëllai i tij, Besniku, pa i njohur fare vendet evropiane vendosi ta merrte atë rrugë
“Babën e kemi me aftësi të kufizuara, katër persona në familje jemi në gjendje për të punuar, po të gjithë rrimë te shpija, s’ka punë, komplet familja vendosem që Besniku me dal jashtë Kosovës edhe pse ai i ka vetëm njëzetë vjet” u shpreh ai.
Agjencia “Fjolla” dhe “Adio turs” bëjnë bartjen e tyre me disa agjenci të tjera që po operojnë në tërë Kosovën për këtë çështje.
Autobusët në Lipjan janë të stërmbushur çdo natë . Ndodh që një numër i madh të mbetet pa u nisur pasi nuk ka vende në autobusë .
I vetmi dokument që kërkohet në kufi me Serbinë është një dokument identifikimi ,siç është letërnjoftimi. Sipas burimeve jo zyrtare bileta deri në Beograd kushton 20 euro. Disa prej të rinjve që tashmë kanë arritur në Evropë, e më të cilët kemi biseduar, ndodhen në Francë , Gjermani , Zvicër dhe Austri.
Një i ri nga Lipjani, i cili tani ndodhet në Austri, në një intervistë nëpërmjet Skyp’it tha se gjatë rrugës nuk ka pasur pengesa, apo kontrolle të mëdha nga policia. Ai tregon se agjencia me të cilën ka udhëtuar drejt Beogradit është “Adio Turs”, agjenci kjo që mbanë linjën e rregullt të qarkullimit çdo ditë Prishtine-Beograd duke bartur kështu shumë të rijnë nga Kosova.
Por nuk janë vetëm të rinjtë ata që po e braktisin vendin. Një tjetër fenomen që po e karakterizon këtë kohë është se në pikë të ditës gra, fëmijë , e në disa raste edhe më të moshuar, e kanë braktisur vendlindjen. Edhe ata mblidhen rreth oborrit te Kishës Ortodokse në Lipjan, me torba e valixhe nëpër tokë e shumë gjësende që kanë marrë me vete. Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha për gazetën se kjo situatë na vjen si produkt i gjendjes së tërësishme në Kosovë . “Duhet të ndërmerren lehtësira në investime të brendshme dhe t’ju jepen prioritet, veçanti bujqësisë, për të krijuar mundësi të reja dhe për të gjeneruar vende të reja të punës “ theksoi i pari I Komunës së Lipjanit. Ahmeti gjithashtu tha se qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa ka një qasje tjetër të zhvillimit dhe do të arrijë t’i mbajë të rinjtë kosovarë brenda Kosovës. Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë, në vitin 2012 Komuna e Lipjanit ka 57.605 banorë.
Drilon Gashi

Share: