Në javët e fundit nga qyteti i Gjilanit dhe i Kamenicës kanë ikur shumë të rinj drejt shteteve të Bashkimit Evropian në kërkim të një jete më të mirë. Ky fenomen, që muajve të fundit ka përfshirë gjithë Kosovën, është shqetësues për autoritetet e pushtetit lokal në Kamenicë.
Fatmir Matoshi, nënkryetari i Komunës së Kamenicës, ndihet i shqetësuar me këto ikje dhe këtë migrim ilegal. Por ai thotë se pavarësisht kushteve të rënda që kanë këto familje ose këta të rinj, migrimi sërish nuk është zgjidhje.
Matoshi fajëson trafikantët, të cilët sipas tij po manipulojnë me këto familje dhe në veçanti me këta të rinj. “Ne u bëjmë apel edhe njëherë familjeve kamenicase dhe të rinjve që të kenë kujdes nga këto “oferta përrallore” që vijnë nga grupe trafikantësh. Duhet ta dinë të gjithë se po marrin një rrugë të rëndë dhe po rrezikojnë jetën e tyre dhe të fëmijëve”, tha Matoshi.
Matoshi tha se ndihet i shqetësuar për largimin e të rinjve nga Kamenica në mënyrë ilegale, duke e rrezikuar shëndetin dhe duke bërë harxhime, edhe pse institucionet vendore edhe ambasadat e vendeve të BE-së apelojnë që mos të nisen në këto udhëtime qytetarët tanë, sepse nuk iu pranohet statusi i azilantëve.
Matoshi thekson se trafikantët po e shfrytëzojnë gjendjen e rëndë të papunësisë për manipulime me qytetarë, sidomos me rininë. “Më së shumti po rrezikojnë ata që me veti po i marrinë dhe familjen me fëmijë të vegjël dhe po maltretohen nëpër kufij e në këtë mot të ftohtë. Edhe Komuna e Kamenicës është e prekur nga ky sindrom, e në disa fshatra është më e theksuar si Karaçeva e Hogoshti”- tha Matoshi.
Gentiana Dervishi