Intervistë me Ganimete Abazin

22 Mars 2017

Ganimete Abazi, e njohur si Ganja, u bë e njohur në festivalin “Akordet e Kosovës”. Këngët e saj më të njohura janë “Tri Pika” dhe “Xhamadani” në duet me grupin Ilirët. Për disa vite Ganja u tërhoq nga muzika, por është kthyer fuqishëm në vitin 2012 me disa këngë të reja. Këtë vit ajo do të realizojë një këngë me këngëtarin Kole Oroshin.

Si e pritën adhuruesit e këngës tuaj rikthimin tënd?
Mendoj qe adhuruesit janë shumë të kënaqur me rikthimin tim, sepse kam punuar shumë, kam realizuar katër projekte muzikore, dhe besoj që e kam përmbushur
mungesën që e kam pasur prej disa viteve në skenë. Arsyeja e largimit tim nga muzika është për shkak të disa detyrimeve familjare. Gjithsesi unë përherë e kam përcjellë se çfarë po ndodh në muzikën tonë.

Si e nisët dhe si e keni mbyllur vitin 2013?
Viti 2013 ka qenë një vit i suksesshëm për mua. Kam realizuar dy këngë solo të miat, dy videoklipe dhe dy bashkëpunime. Viti 2014 do të sjellë një këngë risi mes meje dhe Kole Oroshit. Mund të them që viti i parë i rikthimi ka qenë shumë i suksesshëm.

Me çfarë jeni duke u marrë aktualisht?
Aktualisht jam duke u marrë me lansimin e projektit të ri, kënga “Hapi i parë“ në duet me Kole Oroshin është në atë vrullin e marketingut të këngës, promovimit të këngës, kështu që besoj dhe shpresoj që edhe kjo të pëlqehet dhe të jetë një këngë shumë e suksesshme për këtë vit.

Sa keni qenë aktive dhe e pranishme kohëve të fundit në skenë?
Mund të them që kam qenë shumë aktive, shumë e pranishme nëpër media, gjithashtu kam pasur shumë kërkesa për mbrëmje.

Ju shumë herë jeni parë nëpër bashkëpunime me këngëtarët e tjerë. A mendoni se bashkëpunimet mund të ndikojnë që një këngë të jetë më e suksesshme?
Afër 25 vite karrierë, bashkëpunimet i kam bërë me grupe të njohura me këngëtarë të mirëfilltë siç është Grupi Elita 5, me Iliret kam pasur bashkëpunim të gjatë, afër 5-6 vite, mandej duetin me Kristin nga Shqipëria me këngën“ Kërkoj gjysmën tjetër “, një këngë shumë e mirë, ku kemi marrë pjesë në festivalin Nota Fest dhe jemi shpërblyer me çmimin e dytë të jurisë. Dhe se fundi dy bashkëpunime me këngëtarin Kole Oroshin.

E kujt ishte iniciativa e bashkëpunimit me Kole Oroshin?
Kjo ishte iniciativë e kompozitorit tim Ilir Beranit.

Cili është çelësi i suksesit tuaj?
Çelësi i suksesit tim është ajo që së pari falënderoj Zotin që ma ka dhënë zërin, pastaj mendoj që nëse punon me përkushtim e realizon atë që ke dëshirë. Ajo që e dua unë gjithmonë ka qenë muzika, bashkëpunëtorët që i kam gjithmonë për rreth që më ndihmojnë dhe së fundi unë e finalizoj me vokalin tim.

Çfarë mendoni se për të qenë e suksesshme një këngë nevojitet më shumë se gjithçka të jesh e bukur?
Mendoj që kohëve të fundit tek ne muzika po shikohet nuk po dëgjohet. Por mendoj që këngëtari se pari duhet t’i ketë vlerat, vokalin, talentin pse jo edhe bukurinë, e cila është pjesë e asaj që të kompleton, mirëpo s`domethënë me qenë gjithmonë bukuria.

Çfarë mund të presin adhuruesit tuaj në të ardhmen?
Asgjë më shumë se këngë dhe videoklipe të reja, këngë të mira që besoj dhe shpresoj të pëlqehen nga publiku.

Intervisoti: Mimoza Bajramit

Share: